Lidhja Demokratike Boshnjake sot u ka paraqitur institucioneve kompetente kallëzim penal kundër Dalibor Kitanoviçit, drejtor i Agjencisë për realizimin e të drejtave të komuniteteve, për shkak të veprimit të tij publik me të cilin glorifikohet dhe madhërohet Ratko Mlladiqi, kriminel lufte i dënuar me vendim të formës së prerë, thuhet në njoftimin e BDS-së, të cilin MIA e përcjell të plotë.
Mendojmë se është e palejueshme që një bartës i funksionit publik, me veprimet dhe mesazhet e tij publike, t’i relativizojë krimet e luftës dhe t’i fyejë dinjitetin e viktimave.
Veçanërisht e theksojmë përgjegjësinë që mbart drejtori i një institucioni, roli themelor i të cilit është realizimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve më të vogla, përkatësisht më pak të shumta etnike në Maqedoninë e Veriut. Nga një institucion i tillë dhe nga udhëheqja e tij presim respektim të të gjitha komuniteteve, të dinjitetit të tyre, si dhe ndjeshmëri ndaj viktimave të krimeve të luftës.
Presim që institucionet kompetente ta shqyrtojnë kallëzimin sipas ligjit, t’i vërtetojnë të gjitha faktet relevante dhe të ndërmarrin masat e duhura.
BDS do të vazhdojë të veprojë institucionalisht dhe t’i përdorë të gjitha mekanizmat e parashikuara me ligj për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, të së vërtetës dhe të parimeve të përgjegjësisë.
Krimet e luftës nuk duhet të jenë objekt glorifikimi.
Viktimat meritojnë respekt.
Institucionet duhet të jenë shembull përgjegjësie dhe respekti ndaj të gjitha komuniteteve.



