Kanë kaluar 9 vite që kur Kosova në krye me presidentin legjendar, Ibrahim Rugovën shpallën pavarësinë e shtetit kosovarë. Dhe si çdo vit të zakonshëm edhe këtë vit, data 17 shkurt festohet gjithandej, qoftë edhe ku ka mbetur 1 shqiptarë, shkruan Almakos.
Uratat e tyre për pavarësinë e Kosovës i kanë dërguar edhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, me anë të një postimi, përcjell urimet më të ngrohta e vëllazërore bashkëkombasve tanë në Kosovë dhe gjithandej.
“Kujtoj me përulësi heronjtë e UÇK-së dhe shpreh mirënjohje dhe respekt pa fund për patriotizmin, atdhedashurinë, sakrificën dhe kontributin e madh të brezave të tërë. Ne, motra dhe vëllezër tuaj, do të qëndrojmë gjithmonë pranë jush dhe me ju në çdo sakrificë, në çdo sfidë dhe në punën tonë të përbashkët drejt integrimit të plotë euro-atlantik. Sot dhe përgjithmonë, ne jemi bashkë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, ka uruar Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka uruar festën e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kjo është një festë për të gjithë shqiptarët anembanë. Kasami thotë se 17 Shkurti do të mbetet kthesa më e madhe e historisë shqiptare në shekullin e ri. Ja edhe postimi i tij i plotë:
“Shtetësia e Kosovës është përpjekje e shumë brezave dhe jo vetëm e shqiptarëve të Kosovës, andaj edhe ne shqiptarët e Maqedonisë jemi jashtëzakonisht të lumtur për 9 vjetorin e shtetit të Kosovës. Lëvizja BESA ia uron pavarësinë të gjithë popullit të Kosovës, por edhe gjithë shqiptarëve anembanë, duke rikujtuar se kjo datë do të mbetet edhe gjatë kohë si kthesa më e madhe e historisë shqiptare në shekullin e ri.
Urime 17 Shkurti dhe gjithmonë festofshim në paqe e liri!”.
Derisa lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi uroj që shqiptarët këtë festë ta kremtojnë me krenari dhe bindje të plotë në drejtim të eurointegrimeve.
“Në këtë përvjetor të rëndësishëm për mbarë kombin Shqiptar, gëzohemi për Kosovën si shtet i pavarur dhe urojmë, që Kosova të përparojë drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare të Ju uroj juve dhe gjithë shqiptarëve që këtë ditë ta kremtojmë me krenari dhe me bindje të plotë drejt progresit dhe integrimeve euroatlantike”, ka uruar Menduh Thaçi./Almakos.