Lewis Hamilton u largua i zhgënjyer nga Çmimi i Madh i Meksikës
Britaniku kishte përpara ndoshta mundësinë më të mirë për të siguruar podiumin e parë të sezonit me Ferrarin, ose edhe diçka më shumë, por asgjë nuk shkoi sipas planit. Impulsi i Vershtapenit, një mbrojtje e paqëndrueshme dhe më pas ndëshkimi, i shuan çdo shpresë dhe tani numri i garave pa podium ka arritur në 19.
Pas penalizimit prej 10 sekondash që i shkatërroi çdo shans, piloti nuk i fshehu nervat: “Jam shumë i zhgënjyer me FIA-n”, tha ai.
Asnjë podium dhe vetëm disa suksese në garat e shkurtra, me dominimin e pazakontë në Sprintin e Kinës si momentin më të mirë, është shumë pak për Hamiltonin, ashtu edhe për Ferrarin.
40- vjecari nuk e fsheh këtë, madje e pranon edhe në intervistën e dhënë në numrin e fundit të “Ferrari Magazine”, ku është protagonist kryesor. “Që në momentin që erdha, e dija se bashkimi i emrit tim me atë të Ferrarit do të ishte diçka e fuqishme. Edhe pse ende më mahnit, është një përvojë e bukur që sjell si anë pozitive, ashtu edhe përgjegjësi. Të gjithë duan të fitojnë menjëherë, por ‘Roma nuk u ndërtua për një ditë’”, deklaron Hamiltoni.
Britaniku ka përvetësuar shpejt simbolet e Ferrarit, edhe pse rezultatet nuk kanë qenë të shkëlqyera. Jo krejtësisht negative, megjithatë momentet e vështira kanë qenë të dukshme, si ai shpërthim i njohur në Hungari kur shfryu:
“Jam i padobishëm”.
“Sa kohë do të na duhet për të fituar? Këtë duhet ta zbulojmë”, shtoi Hamilton, duke vlerësuar njëkohësisht edhe proceset e brendshme.
“Ky ekip është shumë ndryshe nga të tjerët. Unë mund të fokusohem vetëm te gjërat që janë nën kontrollin tim, si përgatitem për garat, si punoj me ekipin dhe si qëndroj pozitiv”, analizoi piloti.


