Me rastin e Ditës së Mësuesit, ditës së shkollës shqipe – 7 Marsit, Lëvizja BESA të gjithë mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në arsimimin e gjeneratave të reja ua uron këtë ditë të rëndësishme dhe të nderuar të shkollës shqipe.
“Me këtë rast BESA rikujton se pozita e mësuesit sot në vendin tonë, kur po shkruajmë e flasim për 7 Marsin, që shënohet në shenjë respekti për ta, pa dyshim së është e vështirë. Mësuesi ynë dje dhe sot vazhdon të japë shumë nga vetja e tij, në mënyrë që brezi i ri të edukohet e nesër të jetë i gatshëm që t’i marrë në dorë frenat e zhvillimit të shoqërisë, për ta ngritur e përparuar atë. Mësuesi ynë sot po bën çmos që këtij brezi t’ia mbajë ndezur flakadanin e diturisë për të marshuar ashtu drejt ardhmërisë së ndritur. Andaj mësuesi shqiptar mbetet faqja më e ndritur e historisë sonë.
Nisur nga kjo Lëvizja BESA e ndjen për detyrim moral që dinjitetin e nëpërkëmbur të mësuesit ta ngrejë e ta vendosë në piedestal, aty ku e ka ai vendin e merituar. Figura e mësuesit duhet të jetë figura më e respektuar e shoqërisë dhe jo më e nëpërkëmbura, ashtu siç trajtohet sot. Prandaj Lëvizja Besa do të bëjë çmos që mësuesi shqiptar ta arrijë statusin më të lartë socio-ekonomik dhe moral brenda shoqërisë.
Me përuljen më të madhe të gjithë mësimdhënësve shqiptarë ua urojmë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!”, thuhet në urimin e Lëvizjes BESA.

