Lëvizja BESA dënoi incidentet e ndodhura gjatë ditës së sotme, duke thënë se të njëjtat shkaktohen nga një parti politike, e cila ka filluar tw ndiej humbjen dhe se për këtë arsye tenton që të dëmtojë procesin zgjedhor.
Nga BESA përmendën me nota pozitive reagimin e organeve përgjegjëse për incidentet e evidentuara
“Ndonëse deri më tani janë shënuar incidente të natyrave të ndryshme, siç është rasti i mbylljes së dy vendvotimeve në Gostivar, kërcënimet e disa vëzhguesve tanë dhe tentimin për të blerë vota në komunën e Sarajit, parregullsi në disa vendvotime në komunën e Butelit, tentativa për krijimin e incidenteve në komunën e Çairit, megjithatë reagimi i organeve të rendit të paktën deri më tani ka lënë për të nënkuptuar se nuk do të lejohet lëndimi i këtij procesi zgjedhor”- tha Faton Fazliu, zëdhënës në Lëvizjen BESA.
Fazliu më tej tha se kanë informata të sigurta për tentativa të ndryshme kriminale, që përpiqen t’i bëjnë grupe dhe banda të një partie, e cila njihet për këtë mënyrë të veprimit, por siç tha më të Fazliu, kësaj radhe kanë hasur në rezistencën e popullatës, e cila është duke iu përgjigjur pozitivisht daljes në zgjedhje.
Sot qytetarët marrin të ardhmen në duart e veta, andaj, theksoi Fazliu, duhet që të gjithë të dalin dhe të japin votën e tyre, sepse vota e çdo qytetari është zëri I tij.
Ndryshe këto janë zgjedhjet lokale të 6-tat me radhë që realizohen në Maqedoni.
Procesi nëpër tërë territorin ka filluar në orën 07:00 dhe rrjedhur normalisht, përveç disa incidenteve të evidentuara dhe të mënjanuara.
Deri tek MPB janë paraqitur 7 parregullsi, të cilat kanë të bëjnë me tentim për blerje të votës.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com