
Në fillim të këtij viti jemi dëshmitarë se qytetarët kanë vështirësi me transportin publik në Shkup, kjo për shkak se Qyteti i Shkupit ka realizuar disa ndryshime në transportin publik, duke mos u përgatitur paraprakisht për këtë ndryshim. Kështu blerja e biletave në vetëm gjashtë pika është një problem serioz për qytetarët, me çka në këto pika po shkaktohet kaos dhe pritje të gjata, kanë thënë nga Lëvizja BESA..
“Për sa i përket kësaj çështje, diçka shqetësuese që po ndodh me transportin urban është edhe tërheqja e autobusëve me numër 9 dhe 19, po ashtu nga ndërmarrja publike e transportit pa asnjë arsye të vetme dhe jorastësisht kjo ndodh në pjesën ku jetojnë më shumë shqiptarët, me çka qytetarët janë të detyruar të presin mbi gjysmë ore në këto temperature tepër të ulëta”, kanë thënë nga Lëvizja BESA.
Nisur nga kjo Lëvizja BESA i bën thirrje drejtorit të Ndërmarrjes së Transportit Publik e deri te Qyteti i Shkupit, që urgjentisht të rikthehen linjat e autobusëve me numër 9 dhe 19 dhe të ndalohen menjëherë këto lojëra diskriminuese me nevojat e qytetarëve, sepse edhe shqiptarët janë taksapagues për blerjen e autobusëve urbanë.