Një nga shtyllat kryesore e cila urgjentisht kërkon ndërhyrje për t’u definuar drejt dhe saktë, që në të ardhmen të mund të prodhojë vendime të drejta pa u ndikuar nga politika dhe preferencat partiake, është përfundimisht sistemi i drejtësisë, që i përfshin të gjitha gjykatat dhe prokurorinë publike.
Është e patolerueshme që edhe sot e kësaj dite gjykatat të veprojnë me standarde të dyfishta: i tolerojnë dhe ledhatojnë maqedonasit, ndërsa i dënojnë dhe i terrorizojnë shqiptarët. Si ka mundësi që një i ri, në një protestë të kontrolluar, vetëm pse i ka thyer xhamat e gjykatës për të shprehur revoltë ndaj vendimeve të padrejta në rastet e montuara politike, të dënohet me 3 vjet burg, ndërsa – në anën tjetër – dhunuesit e deputetëve në rastin e 27 prillit lihen në arrest shtëpiak ose nuk u shqiptohet asnjë masë parahetimore?!
Prandaj Lëvizja BESA gjykon se këtij sistemi të (pa)drejtësisë i nevojitet urgjentisht një RIDEFINIM i plotë, për t’u rikthyer profesionalizmi dhe për t’u vendosur në pozitat e caktuara personat adekuatë, të cilët nuk do gjykojnë mbi bazat etnike dhe fetare. Ne insistojmë që të krijohet një sistem i cili do t’i vendosë standardet bashkëkohore në ndarjen e drejtësisë dhe i cili përfundimisht, me RIDEFINIMIN e tij, do ta çrrënjosë mendësinë e funksionimit komunist të ish-Jugosllavisë në raport me shqiptarët.