Lëvizja Besa përshëndet çdo aksion për rregullimin e kaosit në trafik dhe askush nuk mund të ketë asgjë kundër kësaj, por – siç duket – aksioni policor që po zhvillohet këtyre ditëve në Komunën e Çairit, në koordinim me autoritetet komunale, më shumë se për rregullim të trafikut, po bëhet me qëllim të rrjepjes së qytetarëve dhe rritje të kaosit. Qytetarët e Çairit nuk janë aq të padisiplinuar sa dëshiron t’i paraqesë policia dhe Komuna, por ata janë të detyruar të gjenden si munden gjatë parkimit të makinave pikërisht për shkak të mungesës së parkingjeve.
Ne do të besonim në sinqeritetin e këtij aksioni sikur paralelisht Komuna të fillonte edhe me ndërtimin e garazheve në kate, siç kanë premtuar (gënjyer) gjatë fushatës zgjedhore dhe sikur të dënoheshin njësoj – si qytetarët – edhe aktivistët e funksionarët e BDI-së, që i parkojnë makinat e tyre në trotuare e në hapësira të gjelbra, madje edhe e rrahin policinë nëse u kërkon ta lirojnë rrugën.
Mirëpo, në situatë kur nuk ndërmerret asgjë në këtë drejtim, vlerësojmë se qëllimi i aksionit është vetëm mbushja e buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asgjë më shumë.
Për këta arsye kërkojmë që Komuna e Çairit urgjentisht të fillojë të punojë në gjetjen e alternativave, të krijojë kushte parkimi dhe ashtu të ndihmojë veçmas në zhvillimin e bizneseve, edhe ashtu të pakta e të vogla, sepse dënimi i qytetarëve – që edhe ashtu jetojnë në mjerim në Çair – vetëm mund ta rrisë mjerimin e tyre.