Sot dhe ditëve në vijim do të kemi disa press-konferenca për të zbuluar një mega-skandal që ish kryetari i Lëvizjes BESA ka bërë duke falsifikuar dokumentet e Lëvizjes BESA në gjykatë dhe duke dorëzuar atje dokumente që ai i ka shkruar në shtëpi ose që ia
ka shkruar dikush që e ka mësuar ose porositur përçarjen, ndërsa ai i ka dërguar në gjykatë sikur të jenë dokumente zyrtare të Besës.
Ne kemi hulumtuar në dosjen e Lëvizjes BESA në Gjykatë dhe kemi gjetur të a.q. dokumente që ish kryetari i ka falsifikuar. Në fakt, menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, atëherë kur ai e bllokonte funksionimin e partisë, ndërsa ne e lusnim që të gjejmë një zgjidhje kompromisi, ai e kishte filluar vazifen dhe kishte punuar tinëz. Ai kishte deponuar në Gjykatën e Shkupit emra të falsifikuar për kryetar të degëve të lëvizjes BESA, me çka ka dashur të krijojë shumicë fiktive në Këshillin
Qendror, sepse e ka ditur se cila është mbështetja reale për të. Që të bëhet më e qartë, para opinionit do t’i paraqesim disa fakte: Mbledhja e parë e Këshillit Qendror, në të cilën u shprehën pakënaqësi ndaj Bilall Kasamit, ndodhi më datë 24 dhjetor 2017. Kjo mbledhje u ftua nga shumica e anëtarëve të Këshillit Qendror me nënshkrimet e mbledhura në datë 21 dhjetor 2017. Ndërkaq Bilall Kasami më 15 nëntor dhe 4 dhjetor 2017 ka deponuar në gjykatë emra të falsifikuar të kryetarëve të degëve..
Prandaj këtu shtrohet pyetja: çka e shtyri Bilall Kasamin që qysh në nëntor t’i falsifikojë emrat e kryetarëve të degëve, kur dihej se në atë kohë as që kishte pasur pakënaqësi të shprehura ndaj tij?
Kush ia kishte kërkuar këtë atij dhe pse ai e ka bërë këtë falsifikim?
Që opinioni ta ketë të qartë se çfarë falsifikimi ka bërë Kasami, sot po i publikojmë një pjesë të tyre. Më 15 nëntor 2017 ai në gjykatën e Regjistrit të Partive politike (lënda nr. 131/17) ka deponuar emrat e kryetarëve të degëve të Lëvizjes BESA, të cilët sipas Statutit të Lëvizjes BESA janë me automatizëm edhe anëtarë të Këshillit Qendror dhe në mesin e 25 emrave i ka futur së paku edhe 5 emra të falsifikuar të kryetarëve të degëve të Lëvizjes BESA. Vlen të theksohet se zgjedhjet e
brendshme në Lëvizjen BESA, konform Statutit, kanë filluar me miratimin e Rregullores për organizimin e kongresit, gjegjësisht më 6 janar 2018.
Ja një pjesë e këtyre manipulimeve:
-Në Resnjë Lëvizja BESA nuk ka formuar fare degë, kjo shkaku i mospërmbushjes së numrit të mjaftueshëm të anëtarëve atje, por Bilall Kasami në gjykatë e ka deponuar emrin e Arjanit Hoxhës si kryetar dege atje.
– Në Strugë kryetar i zgjedhur i degës ka qenë Riat Abdurahmani, por pasi që si duket Bilall Kasami nuk i ka besuar, në gjykatë si kryetar të degës së Strugës e ka shënuar emrin e Nusret Zibës, që ka ardhur nga RDK-ja.
– Në Shutkë kryetar i degës së Lëvizjes BESA, edhe atë në prezencë edhe të Bilall Kasamit, është i zgjedhur Arsim Emini, ndërsa në gjykatë Bilall Kasami e ka deponuar emrin e Muhamed Currit.
– Në Karposh kryetar i zgjedhur i degës së Lëvizjes BESA është zgjedhur Jonuz Fejzullahu, ndërsa Bilall Kasami në gjykatë e ka deponuar emrin e Ilir Hoxhës.
Të nderuar qytetarë shqiptarë dhe ju anëtarë të Lëvizjes BESA kudo që jeni, këto janë dëshmitë e qarta të skenarit më të rëndë ogurzi ndaj idealit të Lëvizjes BESA edhe atë nga vet ish kryetari i saj bashkë me ata që ia kanë dhënë këtë detyrë. Ajo që është më e ligë në këtë është fakti se ai këtë falsifikim e ka përgatitur në kohën kur ne i kemi besuar, ndërsa ai e ka përdorë detyrën zyrtare si përfaqësues i Besës në gjykatë që t’i falsifikojë emrat e anëtarëve të Këshillit Qendror.
Të nderuar, nesër do të vijojë pjesa e dytë e episodit të MEGA SKANDALIT të falsifikimeve të shkaktuara prej Bilall Kasamit.
Këtu duam ta njoftojmë opinionin se këto të dhëna janë paraqitur edhe para organeve të drejtësisë dhe ai do të ketë padi penale për falsifikim të dokumenteve dhe akteve zyrtare të Lëvizjes BESA.
Nuk ka më keq se ta përfundosh karrierën politike me turp.
Lëvizja Besa – Shkup