Lëvizja BESA dënon aktin e kërcënimit të kandidatit për kryetar në komunën e Sarajit, Bashkim Bakiu.
Këto kërcënime nuk na frikojnë, e as nuk na zmbrapsin në arritjen e synimit tonë, sepse ne kemi përkrahjen e shqiptarëve. Koha e kërcënimeve të këtilla ka perënduar, në momentin që është përgjysmuar forca e partive që kanë promovuar fushatë me kërcënime dhe incidente.
Vlerësojmë se ky paraqet tentim të dështuar për të krijuar terren për dhunë parazgjedhore. Shqiptarët janë ngopur nga dhuna dhe parregullsitë zgjedhore, prandaj me dalje masive në zgjedhje, do të parandalojnë çdo tentim për parregullsi, nga kushdo qoftë i stimuluar.
Ata që në mungesë të argumenteve dhe rezultateve shërbehen me kërcënime dhe shantazhe, nuk mund të shpresojnë te përkrahjen e shqiptarëve.
Lëvizja BESA fton organet e rendit të reagojnë menjëherë, kurse përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të jenë vigjilent në funksion të angazhimit të tyre të pamohueshëm për zgjedhje të qeta, fer dhe demokratike.