Nxënësit e shkollës periferike “Mustafa Kemal Ataturk” të fshatit Vërtekicë të komunës së Studeniçanit akoma nuk kanë nisur gjysëmvjetorin e dytë të vitit shkollor.
Ata vazhdojnë të mbeten në bojkot edhe tre javë pas fillimit të këtij gjysmëvjetori për shkak të largimit nga puna të një mësuesi dhe krijimin e paraleleve të kombinuara. Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i kësaj zone Rexhep Memedi nga Lëvizja Besa i cili tha se ky vendim i kreut të Studenicanit Azem Sadiku nga radhët e PDSH-së është bërë për hakmarrje politike.
“Në fakt, në mungesë të provave që kanë të bëjnë me punën profesionale të arsimtarit dhe në mungesë të një konkurrenti të mundshëm në konkursin e fundit për atë vend pune, kryetar i Komunës së Studeniçanit merr vendim për mbyllje të paraleles dhe e urdhëron drejtorin e shkollës ta largojë nga puna arsimtarin në fjalë edhe pse ai është me përgatitje adekuate profesioanle dhe me përvojë mbi 6 vjeçare në këtë shkollë” – tha Rexhep Memedi, Lëvizja Besa (krahu i Shkupit).
Kreu i Studeniçanit, Azem Sadiku tha për Alsat se vendimi për kombinimin e dy paraleleve vjen si rezultat i numrit të vogël të nxënësve në ketë fshat, po edhe shumë fshatra tjerë malorë të kësaj komune.
“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë revanshizmi politik e as hakmarrje, është për të ardhur keq se si Rexhep Memedi organizon konferencë dhe nuk e thotë një gjë tjetër që duhet opinioni ta di, arsimtari që ka qenë i punësuar në fshatin Vërtekicë me kontratë është vëllai i tij. Nuk ka këtu, as hakmarrje politike e asnjë gjë tjetër, vendimin tonë e ka konfirmuar edhe Inspektorati shtetëror i Arsimit. Asnjë gjë nuk është bërë në mënyrë joligjore” – deklaroi Azem Sadiku, kryetar i Komunës së Studeniçanit.
Me këtë rast Sadiku u bëri thirrje prindërve që të lejojnë kthimin e fëmijëve në shkollë. Ndërsa, prindërit përsëritën qëndrimin e tyre se bojkoti do të vazhdojë derisa nuk rikthehet në punë mësuesi i larguar dhe nuk ndahen paralelet e kombinuara..