Shkruan: Ridvan Xhaferi
PËRKUJTIM NË NJËVJETORIN E VDEKJES SË VËLLAIT DHE SHOKUT TONË, HOXHË SEAD AJRULI, ALLAHU E MËSHIROFTË!
Sot një vit, më 04.09 2018, pikërisht në çastet e ezanit të sabahut, në Stamboll ishin momentet e fundit të ndarjes nga kjo dynja dhe udhëtimit drejt ahiretit të hoxhës Sead Ajruli, Allahu e mëshiroftë.
Në pamundësi të gjetjes së fjalëve që mund t’i themi për ndarjen tënde prej kësaj bote, i vetmi ngushëllim do të mbetet “e vërteta e përjetshme”, siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” dhe “Të gjithë jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi”.
Seadi ynë, ne nuk do të të harrojmë për sa kohë që jemi gjallë. Si mund ta harrojmë atë që gjithmonë kemi qenë bashkë, në të mira dhe të vështira, në rehati dhe shqetësime, në gëzime dhe hidhërime?! Si mund të të harrojmë kur kujtimet, rrugëtimi, veprimtaria dhe kontributi yt ende vazhdon të jetojë?! Si mund të të harrojmë kur ti le pas vetes familje, shokë dhe dashamirë të shumtë, e veçmas shumë të rinj dhe shumë vepra të mira?! Të mirët, shokët, të çmuarit dhe besnikët e jetës, që të kanë njohur, nuk do të të harrojnë kurrë. Ata nuk do të të harrojnë derisa të na takojë Allahu në xhennetet e Tij, me lejen e Allahut të Plotfuqishëm.
Kujtimet dhe gjurmët e tua do të mbeten të pashlyeshme me vite dhe dekada. Është krenari dhe dinjitet atë që ti le pas vete. Ti përçove mesazhin tënd me ndershmëri dhe sinqeritet. Ti ke lënë pas vetes shumë vepra dhe kujtime të mira për gjeneratat e ardhshme. Sot kujtimi për ty nuk është vetëm një ndërmendje, por është kujtim i mësimeve, aktiviteteve, kontributit dhe veprimtarisë tënde. Ishte krenari dhe kënaqësi që patëm rastin të njihemi, të jetojmë dhe të veprojmë për shumë vite bashkë dhe për të njëjtin qëllim. Ti, shpesh, edhe në dëm të familjes dhe vetes, kohën dhe kontributin tënd ua dhurove të tjerëve. Më shumë qëndrove në aktivitete, udhëtime dhe larg familjes, kjo për një shoqëri dhe ardhmëri më të mirë sesa pranë familjes tënde. Në këso udhëtimi të takoi edhe kaderi i Zotit, kur ti u ndave nga kjo jetë..
Vëlla i dashur Sead, ti jetove si njeri me shumë virtyte të larta njerëzore dhe ne të përcollëm nga kjo botë me krenari dhe dinjitet. Ti ishe një shok besnik dhe Hoxhë shumë i dashur për të gjithë pa dallim, i sinqertë, i guximshëm, human, me humor, zemërmirë, e nderoje mysafirin dhe të ftuarin jashtë mase, ishe me moral të lartë, i luftove dukuritë negative, mësove dhe nxite për dorëdhënie, ti ishe shembull si ta duam tjetrin, si të duam sinqerisht dhe të punojmë për parimet e Dinit të Allahut, për mbrojtjen e atdheut dhe të shoqërisë, ti ndihmove dhe këshillove shumë nxënës e studentë dhe ishe këmbëngulës në rrugën e tyre drejt suksesit. Ty të interesonte gjendja e muslimanëve të vendit tonë, në veçanti, por edhe e ummetit në përgjithësi. Ti na mësove gjëra të panjohura për ne për botën islame, në përgjithësi.
Për ty ishte shumë domethënëse fjala “Murshid”. Ti e respektove këtë titull dhe e dhe shembullin më të mirë të respektimit të kësaj fjale në praktikë. Shumë njerëz ishin kureshtarë ta dinë këtë frazë, por atë e përjetojnë vetëm ata që e jetojnë dhe e respektojnë. Ti ishe i vendosur që mos të dorëzohemi dhe mos të tradhtojmë me asnjë çmim dhe në asnjë mënyrë, edhe pse në fund të jetës tënde përjetove një tradhti të rëndë, që kurrë nuk arrite ta gëlltisësh. Ti na ftove t’i ngremë shpirtrat tanë drejt Allahut, duke kërkuar kënaqësinë e Tij e jo kënaqësinë e njerëzve dhe duke iu mbështetur vetëm Allahut Fuqiplotë.
Në këto çaste përkujtimi dhe mësimi, neve nuk na mbetet tjetër, veç t’i ngremë duart tek Allahu i Plotfuqishëm, duke i kërkuar Atij që të të bekojë me Mëshirën dhe Faljen e Tij, ta bëjë varrin tënd nga kopshtet e Xhennetit dhe të na takojë të gjithëve në xhennetet e Tij të pafundme.
Amin! Amin! Amin!