Ish-mesfushori i Fiorentinës dhe Bayern Munich, Stefan Effenberg, foli në “Kicker” për Ligën e Kampionëve, duke përfshirë Interin mes favoritëve:
“Real Madridi është favoriti kryesor, por gjithashtu kam Interin në radarin tim. Ancelotti ka një përzierje yjesh dhe lojtarësh të talentuar e të uritur. Zikaltrit janë të uritur, kanë një ekip vërtet të fortë dhe duan të konfirmojnë finalen e vitit të kaluar. Pastaj vjen Manchester City”.
Për më tepër, Carlo Ancelotti është një trajner që thjesht ndihet i qetë në Madrid dhe identifikohet me rolin e tij: “Ishte gjë e mirë që Karim Benzema tha lamtumirë dhe Vinicius Júnior e shokët e tij fituan lirinë për të qenë protagonistë. Real Madridi duket mjaft i uritur, ky ekip është legjendë e vërtetë”.
Për situatën aspak pozitive te Bayern Munich, ish-mesfushori nënvizoi: “Nuk shoh asnjë lojtar nga i cili Bayerni mund të marrë frymëzim. Ka mungesë liderësh dhe nëse nuk i keni këto personalitete… Nëse unë do të isha ende një lojtar i Bayernit, do t’i kisha marrë djemtë dhe do t’ua trazoja ndërgjegjen. Eh, kësi lojtarësh nuk ka më atje.
E shoh ende në fazën e tranzicionit. Lewandowski është larguar, Müller nuk luan më rregullisht, Neuer ka ende një ose dy vite karrierë. Për dy ose tri vite do të flasim ndryshe për Bayernin. Skuadra bavareze nuk shkëlqen më si në vitin 2020, nuk e ka më atë nivel maksimal. Për mua, Bayerni është në fund të një cikli të madh, është në udhëkryq, nuk e dimë se ku do të na çojë udhëtimi në të ardhmen. Shpresoj që Kimmich të qëndrojë.
Tuchel, brenda apo jashtë: “Momenti është i komplikuar dhe pason turbulencat në menaxhim. Ata e nisën sezonin e ri me një skuadër të reduktuar dhe probleme të mëdha dëmtimesh. Tuchel padyshim që po bën më të mirën në këto rrethana”.