Mikel Arteta i ka kërkuar lojtarëve të tij që të heshtin zhurmën që është krijuar rreth Real Madridit përmes paraqitjes së tyre në fushë në duelin e kthimit në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Arsenali ka një epërsi prej 3-0 para ndeshjes së dytë në ‘Santiago Bernabeu’ pas fitores mbresëlënëse në ‘Emirates’ javën e kaluar.
Pavarësisht tre golave të pësuar, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti së bashku me lojtarët e tij kanë folur në mënyrë pozitive sa i përket shanseve të tyre për ta rikthyer rezultatin.
Megjithatë, Arteta ka besim tek lojtarët e tij se ata mund ta përsërisin paraqitjen që patën në ndeshjen e parë në Londër.
“Është e pamundur”, ka thënë Arteta kur u pyet nëse mund ta kontrollojnë zhurmën rreth shanseve të Real Madridit.
“Jashtë, ne mund ta bëjmë në fushë. Tani e kuptoj se kjo është narrativa e cila do t’i ndezë ata, e kuptoj këtë”.
“Është pjesë e historisë së tyre dhe ata e kanë të drejtën që të flasin për skenarë të tillë”.
“Skenari ynë është më ndryshe dhe mentaliteti, përgatitja, mënyra se si do të kemi shansin që të jemi më të mirë se ata në aspektet që janë kyçe në lojë, sepse ata do të mundohen ta dërgojnë ndeshjen në vende shumë më ndryshe se sa qëllimet tona”.
“Nëse e bëjmë këtë atëherë ne do të kemi një mundësi të mirë për ta fituar ndeshjen”, përfundoi tekniku spanjoll.