Pak orë pasi LDK-ja njoftoi se do të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti doli në konferencë të jashtëzakonshme për media të cilën, për habinë e shumë kujt, e nisi me lëvdata për menaxhimin e situatës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Si qeveri e re e Republikës së Kosovës jemi shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, për ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë koronavirus dhe për këtë gjë unë dua që t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës që kanë respektuar vendimet e qeverisë dhe kanë ndjekur udhëzimet e ekspertëve”.
“Kemi pasë dhe vazhdojmë të kemi një disiplinë shoqërore dhe qytetare e cila ka bërë që sot në Kosovë të kemi jo më shumë se 20 të testuar pozitivisht me koronavirus nga të cilët vetëm njëri – burrë i moshuar 77 vjeçar – ka maskë oksigjeni, por jo makinë respiratori derisa të gjithë të tjerët nuk janë as për së afërmi në rrezik jete”.
“Dy prej tyre janë liruar dje në shtëpi për trajtim shtëpiak në vetizolim, derisa katër të tjerë këtë e kanë bërë më herët”.
“U jam mirënjohës dhe falënderues mjekëve dhe infermierëve, policëve dhe ushtarëve, farmacistëve dhe të gjithë punëtorëve në markete që shesin gjësende ushqimore, shpërndarësve të ushqimit dhe barnave, doganierëve dhe inspektorëve dhe i falënderoj punëtorët në prodhim dhe ata në ndërtimtari të cilët në njërën anë po e mbrojnë shëndetin e njerëzve dhe në anën tjetër po e mirëmbajnë shëndetin e ekonomisë tonë. Edhe shëndeti i njerëzve dhe ekonomisë janë në fokus të qeverisë së re të Republikës së Kosovës”.
“Republika e Kosovës ka 130 respiratorë dhe për fat të mirë nuk kemi asnjë rast të rëndë që ndonjëri prej tyre të përdoret”.
“Duke pasë parasysh se në çfarë gjendje e kemi gjetur sistemin shëndetësor, parandalimi është jetik – vetizolimi në njërën anë dhe higjiena në anën tjetër. Qytetarët kanë treguar kulturë dhe vetëdije të lartë. Unë ju bëj thirrje që edhe të vazhdojmë ta mbajmë atë, por edhe ta rrisim edhe më tej në mënyrë që ta ruajmë veten dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin”.
https://www.youtube.com/watch?v=p4p_zwpgREM&feature=emb_logo