Dje në Tetovë Lazim Destani e ka pritur për vizitë ish-ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad që në këtë post ishte gjatë administratës së Presidentit George W. Bush. Diplomati i mirënjohur së bashku me bashkëshorten e tij erdhi në vizitë te miku i tyre filantropi Destani pas vizitës zyrtare që ai realizoi këto ditë në Kosovë, me ç’rast nga presidenti Thaçi është dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për angazhimin dhe kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.
Pas prezantimit dhe shpjegimeve që iu dhanë ambasadorit lidhur me bizneset e familjes Destani, ai shprehu kënaqësinë e tij për kontributin që këto biznese japin në ngritjen e ekonomisë së vendit, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mundësitë e mira që i ofrohen rinisë këtu. Me rastin e kësaj vizite Ambasadori Khalilzad deklaroi “unë çuditem, impresionohem dhe ju përgëzoj për sukseset e këtyre përmasave. Aq më shumë është mbresëlënës fakti që në fokus nuk janë vetëm përfitimet nga biznesi, por edhe mbështetja e vendit tuaj me investime dhe vepra bëmirëse aq në numër”.
Z.Destani e përuroi me përzemërsi Ambasadorin Khalilzad për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetjen institucionale dhe personale për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe avansimin e çështjes së shqiptarëve në rajon.