Kryeqendra e Maqedonisë së Veriut për disa ditë me radhë ndodhet në mesin e dhjetë vendeve të botës me ndotjen më të lartë të ajrit. Shkupi është renditur në vendin e nëntë në mesin e qyteteve të botës me ndotje të lartë të ajrit.
Platforma I-Q Air të premten me datë 6 janar ka treguar se se indeksi i ndotjes është 174 përderisa janë matur 99.2 mikrogram (mg/m3)për metër kub. Derisa grimcat PM10 kanë kaluar sasinë e lejuar prej 150 mg/m3, të premten në Shkup u regjistruan 167.7 grimca PM10 për metër kub.
Në vendin e parë të kësaj liste, për sa i përket ndotjes së ajrit, ndodhet qyteti Delhi i Indisë, i pasuar nga qyteti Lahore i Pakistanit dhe Shangai në Kinë.
Nga vendet e rajonit para Shkupit është vetëm Sarajeva e Bosnje e Hercegovinës.
Shifrat e larta të ndotjes së ajrit po e përcjellin Shkupin dhe disa qytete të vendit, si Tetova, Kërçova e Strumica, për disa ditë gjatë kësaj jave.
Lidhur me këtë, Instituti i Shëndetit Publik u ka rekomanduar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë nevojë për të dalë jashtë, si dhe t’i shmangin aktivitetet fizike jashtë ambienteve të shtëpisë.
Qytetarëve që dalin jashtë për shkak të detyrimeve, u është rekomanduar që të vendosin maska mbrojtëse me efikasitet të dëshmuar.
Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor thonë se problematike nuk është vetëm mjegulla që ka mbuluar Shkupin që nga 1 janari, pasi gjatë ditës së premte ajo pothuajse është larguar, por problematike mbeten shifrat e larta të ndotjes së ajrit. Sipas tyre, problemi qëndron te politikat e joadekuate të Qeverisë për ta zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit.
“Niveli lartë i ndotjes së ajrit në shumë vende të Maqedonisë së Veriut, ku kryeson Shkupi, është si rezultat i çmimit të lartë të energjisë elektrike, ku si pasojë shumë banorë, të cilët janë ngrohur me pajisje që punojnë me energji elektrike, tani kanë kaluar në mjete tjera ngrohëse si, druri, peleti apo mazuti. Niveli i lartë i ndotjes është dhe si rezultat i papërgjegjshmërisë së Qeverisë, e cila nuk arriti ta mbajë nën kontroll këtë situatë, pavarësisht paralajmërimeve se shumë amvisëri nuk do të arrijnë ta përballojnë shumëfishimin e faturave të energjisë elektrike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare Eco Guerila, që në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësor.


