Kilian Mbappe do të pushojë zyrtarisht së qeni pjesë e PSZH më 30 qershor.
Një humbje e konsiderueshme për klubin parizien, por edhe për shtetin francez, i cili kishte përfituar, përsa iu përket taksave dhe tarifave të tjera fiskale, nga paga e stërmadhe e lojtarit tashmë të ri të Real Madridit, 72 milionë euro bruto, plus bonuse të tjera, që e çuan shumën totale në 200 milionë euro bruto në sezon.
Sipas “BMTV”, Kilian Mbape kontribuoi me 261 milionë euro për shtetin francez në 7 vitet që ishte te PSZH (2017-2024), një shumë e pakrahasueshme me asnjë futbollist tjetër në Francë, e lëre më një sportist elitar në tokën franceze.
Ekzekutivi, i kryesuar nga Emanuel Makron, përfitoi edhe nga pagat e Mesit e Nejmarit, nga të cilat arkëtoi afërsisht më shumë se 300 milionë euro.
Largimi i Kilian Mbappe për te Real Madridi lë një boshllëk të madh në futbollin francez, pavarësisht se ka pasur raste të përsëritura në të cilat Emanuel Makron, si në vitin 2022, është përpjekur ta bindë atë të ndryshonte mendje. Presidenti I Francës ka frikë se largimi i tij do të shkaktojë një krizë të paprecedentë në Ligue 1, e manifestuar tashmë në të drejtat televizive. Për to ende nuk ka blerës, referuar periudhës 2024-2029.