Deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për kundërshtimin e mekanizmit të Badenterit kanë nxitur reagime dhe interpretime politike në vend. Qëndrimi i tij se një mekanizëm i tillë nuk duhet të zbatohet në një institucion juridik, madje duke theksuar se “më mirë të mbyllet institucioni sesa të vendoset Badenteri”, ka hapur debat për balancën ndëretnike dhe rolin e këtij mekanizmi në sistemin kushtetues. Në këtë kontekst, analisti Ibrahim Mehmeti në emisionin ZOOM në RTMV2 vlerësoi se zhvillimet e fundit nuk janë të izoluara, por pjesë e një tendence më të gjerë.
“Mua më ngjan si një fushatë e koordinuar, për degradimin e përdorimit të gjuhës shqipe ose për degradimin e pozitës së gjuhës shqipe në sistemin shtetëror, por edhe juridik të vendit dhe kjo duket se kalon pa ndonjë shqetësim nga ana e partive politike”, theksoi Mehmeti në emisionin ZOOM.
Ai shtoi se partitë shqiptare, veçanërisht ato që janë pjesë e pushtetit, duhet të tregojnë më shumë angazhim konkret për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për ta zbehur rolin e saj në përdorimin institucional.


