Mediat greke shkruajnë se R. Muci, S. Kallashi dhe L. Hoxha janë tre shqiptarët e arrestuar në Greqi nga grupi i trafikut të kokainës. Gjithsej në grupin kriminal janë 14 pjesëtareve, mes tyre edhe R. Muci, 41 vjeç nga Shushica e Vlorës, S. Kallashi, 50 vjeç nga Novosela e Vlorës dhe L. Hoxha, 27 vjeç nga Kutallia e Dimalit.
Gjithashtu bëhet e ditur se “Koka” që fshihej pas transportit të lëkurave me kokainë nga Amerika Latine në Greqi konsiderohet një shtetas 45-vjeçar shqiptar, i identifikuar si L. Murataj i cili nuk u arrestua, por mësohet se jeton në Spanjë. Konkretish nga 14 anëtarët e grupit vetëm 11 persona janë arrestuar, 6 grekë, 3 shqiptarë, 1 kolumbian dhe 1 bolivian.
Laboratori i kokainës ishte në një depo dhe brenda një banesë. Në laborator kryhej ndarja e kokainës që ishte zhytur në lëkurë të papërpunuar me kimikate, ku disa nga të dyshuarit u kapën duke fjetur. Laboratori i paligjshëm u gjet se përmbante afërsisht 100 kilogramë kokainë të përzier me kripëra, të cilat ishin nxjerrë nga 200 lëkura.
Nga 1.500 lëkurat e mbetura të gjetura në paleta, sasia që grupi do të kishte prodhuar, pas ndarjes nga kripërat, vlerësohet të ketë qenë afërsisht 700 kilogramë.
“Lëkurat u importuan në vendin tonë nëpërmjet një kompanie me shumicë për mallra lëkure dhe mallra udhëtimi, të cilën e kishin krijuar vetë dhe u transportuan me automjete tregtare në një vend ku kishin instaluar një laborator të posaçëm kimik”, tha zëdhënësja e shtypit e policisë greke, Constantia Dimoglidou.
Kokaina u importua nga Amerika Latine në Shqipëri nëntorin e kaluar duke përdorur të njëjtën metodë.