Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg shtetasin Vranicki Hisku, i cili u arrestua tre ditë më parë nga policia, pas zbulimit të një laboratorit të kultivimit të bimëve narkotike brenda një magazine në Gjorm të Kurbinit.
Referuar provave të paraqitura nga prokuroria, gjyqtari Olti Skrame e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 24-vjeçarit, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat 45 ditë, deri në administrimin e rezultateve të ekspertimeve të vendosura për t’u kryer, të akteve lidhur me posedimin dhe përdorimin e vendit të ngjarjes, si dhe të akteve të pretenduara nga personi në hetim.
Policia zbuloi magazinën në fshatin Gjormë të Kurbinit, të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
Ata gjithashtu kanë sekuestruar edhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar. Gjatë kontrollit të ambientit u sekuestruan 205 bimë kanabis sativa të kultivuara në vazo.



