05 October
Të rinjtë kanë interes për politikë, kanë ide, por nuk kanë hapësirë dhe mundësi për t’i shpalosur ato. Organizatat e të rinjve theksojnë se është koha që kjo situatë në rajon të ndryshojë. Ato shprehen të bindur se idetë e tyre do të ndikonin në përmirësimin e klimës politike në vend.
“Të rinjtë kanë jashtëzakonisht shumë interes dhe ka të rinj që janë shumë kreativ, kanë një kuptim të mirëfilltë për problemet, kanë edhe ide se si të zgjidhen këto probleme. Ajo që është problematike është që pushteti, autoritetet që kanë mandat që ta kanalizojnë këtë frustrim të tyre e djegin me metoda banale, partiake, afat-shkurtra”, tha Bujar Luma, Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”.
“Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë e deri më sot shohim një trend ku shumë punë bëhen për të rinjtë, por shfrytëzimi I të njëjtave është relativisht I ulët. Kjo tregon se ose aktorët e gabuar janë kyçur në hartimin e politikave për të rinj ose të rinjtë nuk kanë qasje te politikanët për atë që me të vërtetë ju duhet. Pas 27 vitesh kemi detyrë të gjejmë mekanizma se si të sigurojmë që të rinjtë të kenë mendimin e tyre dhe me të vërtetë ajo të arrijë te politikanët ,që politikanët të mund të bëjnë politikë cilësore për të rinjtë”, u shpreh Bllazhen Maleski, Këshilli Nacional I të Rinjve të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për të Rinj dhe Sport në Maqedoni tha se po punon në kyçjen e të rinjve në hartimin e politikave andaj kërkoi kontributin e tyre.
“Punojmë që sa më shumë të rinj të kyçen në procesin e vendim-marrjes, me qëllim që vetëm të rinjtë mund të gjenerojnë politika që mund të jenë më të mira për Republikën e Maqedonisë. I thërras të rinjtë që sa më shumë të kyçen, të japin kontribut. Ashtu mundemi së bashku të vijmë në zgjidhjet më ideale në interes të të rinjve në RM”, theksoi Darko Kaevski, Agjencia për të Rinj dhe Sport e Maqedonisë.
Aktivistja civile nga Kosova, Dhurata Prokshi me porosi për politikanët e rajonit.
“Energji të reja ju duhen edhe partive politike edhe politikanëve të vjetër, të cilët mbase janë konsumuar dhe nuk është lehtë që ta revitalizojnë kapacitetin dhe potencialin e tyre politik dhe të sjellin inovacione në mënyrat se si udhëhiqen shoqëritë, respektivisht shtetet sot. Le t’ua hapin dyert sepse kanë mundësi ta shohin një lloj reciprociteti në shkëmbimin e interesave me futjen e të rinjve në skenën politike”, deklaroi Dhurata Prokshi, Aktiviste civile nga Kosova.
Prokshi tha se nëse të rinjtë nuk kyçen në politikëbërje, të rinjtë që njëherit janë “truri” I rajonit do të largohen për të mos u kthyer kurrë, ndërsa rajoni do të mbetet pa resurse njerëzore.
Anesa Salihi

