Pa marrë parasysh nëse do të arrijë të krijojë shumicë prej 61 deputetëve, ose jo, Nikolla Gruevski do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë, merr vesh gazeta Lajm nga burime partiake.
Këtë informacion e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i VMRODPMNE-së, Ivo Kotevski.
“VMRO fitoi në këto zgjedhje dhe e ka legjitimitetin dhe përkrahjen e plotë të popullit për të themeluar qeverinë. VMRO-DPMNE ka obligim që të bëjë gjithçka që ta plotësojë vullnetin e shumicës së popullit.
Mandatar i VMRO-DPMNE-së për të formuar qeverinë ende është Nikolla Gruevski. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Ai ishte bartës i të gjitha aktiviteteve parazgjedhore dhe fitoi besimin e qytetarëve”, ka deklaruar Kotevski për Lajm.
Për momentin nuk jep detaje lidhur me kontakte eventuale të filluara me partitë për koalicionim, duke thënë se opinioni do të informohet lidhur me këtë çështje kur të vijë koha. Gruevski pritet ta marrë mandatin për formim të qeverisë më së voni deri më 9 janar, por nuk përjashtohet mundësia që ta marrë edhe më herët. Ivanov do të ja ndajë mandatin Gruevskit edhe pse ekzistojnë interpretime se atij nuk i takon mandati deri sa mos të dëshmojë se posedon përkrahjen e 61 deputetëve.