Vitin e kaluar, kur pandemia Covid 19 kishte marrë përmasat e saja botërore, kur kishte ndikuar keq në rritjen e vdekshmërisë dhe infektimeve në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim, nëpërmjet press-konferencave të saj nga zëdhënësi Bujar Osmani, kishte filluar me fushatën megalomane të aktivizmit të tyre politik, përmes thirrjes publike në numrin “online” 0800 55 000.
Ky numër ende vazhdon të mbetet inekzistent, madje edhe përkundër valës së tretë të pandemisë në vend. Çuditërisht, është pikërisht kjo parti, që në fillim të pandemisë vitin e kaluar i kishte manipuluar qytetarët, gjoja se këta do të jenë “shpëtimtarët” e pandemisë, ndërsa sot kur jemi në valën e tretë të saj, përsëri po shohim papërgjegjshmërinë e tyre ndaj qytetarëve.
Numri fantok “0800 55 000” i plasuar nga BDI dhe zëdhënësi i saj, Bujar Osmani, sot ministër i Jashtëm, asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe ky ka qenë vetëm një mashtrim i radhës ndaj qytetarëve të infektuar.
Ja deklarata e vitit të kaluar nga zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në lidhje me sensibilizimin e qytetarëve me pandeminë:
“Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti më e madhe dhe si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, kemi përgjegjësi të veçantë dhe e shohim si detyrë tonën, që të punojmë për të mirën e qytetarëve. Ne duhet t’i mbrojmë më të rrezikuarit dhe të kujdesemi për ata që kanë nevojë kryesisht mbi moshën 65 vjeçare, të palëvizshëm dhe në izolim si masë parandalimi. Nëse duhet të qëndroni në shtëpi për shkak të Virusit Corona dhe ju nevojitet mbështetje, telefononi në linjën tonë telefonike 0800 55 000 çdo ditë nga ora 8:00 deri në ora 18:00.
Vullnetarët tanë në lagjen tuaj kanë nderin t’ju ofrojnë mbështetje në nevojat e juaja të përditshme – siç janë dërgesat për ushqime ose barna nga farmacitë si dhe transport të nevojshëm – falas, sepse ne kujdesemi.
Arsyeja se pse kemi vendosur ta angazhojmë strukturën tonë organizative mbi të gjitha është se ne #KUJDESEMI për shëndetin e qytetarëve tanë dhe ju mundësojmë t’i zbatojmë rekomandimet e Qeverisë për të qëndruar në shtëpi.
Ky është aktivitet jopartiak, i dedikuar për të ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë pa marrë parasysh etnitetin apo përcaktimin partiak. Ne gjithashtu e ftojmë gjithkënd që dëshiron t’i bashkohet kësaj nisme për të ndihmuar, që të regjistrohet si vullnetar. Tani është koha për solidaritet, Bashkë do t’ia dalim”, thuhej nga zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani.