Shumë herë është thënë se Shkupi i ka dy anët e tij, duke aluduar në pjesën ku jetojnë shqiptarët, e cila përballet me problemet më esenciale dhe pjesën ku jetojnë maqedonasit, e ku po bëhen investime nga më luksozet.
Kur përmendet, kjo ndarje e Shkupit, shumëkush e percepton lumin Vardar si vijë ndarëse, por me rinovimin e sheshit para kishës “Shën Dhimitri” kushtimisht thënë në pjesën shqiptare, e posaçërisht me vendosjen e bustit gjigant të Filipit të Dytë, ky kufi virtual pësoi një zhvendosje. Kështu të paktën e përjetojnë qytetarët e anketuar nga Televizioni SHENJA, një hapësirë të parregulluar që ndan Çarshinë e Shkupit me sheshin i cili mbartë emrin e bustit të mbretit maqedonas. Hapësira e parregulluar, që nuk është më e gjerë se 5 metra, për qytetarët nënkupton “lamtumirë nga rajoni i pazhvilluar”, dhe “mirëseardhje në vendin e zhvilluar”
“Është një dallim shumë i madh, kjo është dallimi Evropa me Afrikën.”, tha një qytetarë
“Unë ashtu mendoj, në atë anë është Izraeli, e këndej Palestina”, deklaroi një qytetar tjetër.
Qytetarët po ashtu vënë në pah dallimet të cilat i hasin në dy anët e Shkupit, duke theksuar diskrepancën e skajshme në më shumë aspekte.
“Në anën tjetër është shumë më e rregulluar se kjo.”, tha një qytetar.
“Më infrastrukturë, po përjetojmë, dallim ka shumë. Rrugët janë më të mira në atë anë.”, deklaroi një qytetar tjetër.
“Në çarshi është katastrofë, momentalisht. Çdo herë nga ana tjetër është më pastër se këndej. Në Çarshinë e Vjetër, komuna e Çairit as nuk merr masa. Vetëm kah fundi i gjërave, si sot.”, u shoreh një qytetar.
Nëpër këtë rrugë duhet të kalojnë të gjithë ata që duan të hyjnë në Çarshinë e Shkupit, duke kaluar nëpër baltë, gropa, por edhe duke pasur kujdes nga veturat që qarkullojnë vazhdimisht. Televizioni SHENJA ka kontaktuar Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër për të kuptuar se kush ka kompetenca për këtë hapësirë dhe pse e njëjta akoma nuk është rregulluar. Nga Qyteti i Shkupit, thonë se hapësirat qasëse për tek ura ku ndodhet Universiteti i Evropës Juglindore, janë në kompetencë të komunave. Ndërkohë, nga Komuna Qendër thonë se çdo gjë që është përreth Bulevardit, është në kompetencë të Qytetit të Shkupit. Megjithatë, ata shtojnë se kushdo që të ketë kompetenca mbi këtë hapësirë, nuk ka mundësi që të rregullojë atë, për shkak të ekspansionit ndërtimor në këtë hapësirë, nëpër të cilën kalojnë makineri të rënda ndërtimi.