20 Dhjetor
Këshilli për verifikim të fakteve i sugjeroi Këshillit Gjyqësor ti shkarkojë pesë gjykatësit e Gjykatës Supreme që kanë vendosur për paraburgimin e Sead Koçanit, në rastin “Trust” të PSP-së, me kërkesë të prokurorisë së rregullt. Gjykatësit për të cilët kërkohet shkarkimi janë Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski dhe gjykatësit Risto Katavenovski, Rahila Stojkovska, Xhemali Saiti dhe Faik Arslani. Nuk përjashtohet që në ditët e ardhshme të rritet numri i gjykatësve për të cilët do kërkohet shkarkimi ose sanksione të tjera. Kryetari i Këshillit për verifikim të fakteve Sasho Pocevski, tha se në fazën përfundimtare janë edhe procedurat kundër gjykatësve që kanë vepruar në paraburgimin e Goran Grujevskit.
“Aty bëhet fjalë për trajtimin e 11 gjykatësve të Gjykatës Themelore në Shkup, nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Lënda është përpunuar, por nuk ka kaluar në seancën e Këshillit. Nuk dihet nëse dhe kundër sa gjykatësve do të ketë propozime të mundshme për përgjegjësi – tha Sasho Pocevski, Këshilli për verifikimin e fakteve.
Tani për tani nuk ka informacion nga Këshilli Gjyqësor se kur do të veprojë rreth propozimeve të Këshillit për verifikim të fakteve, në lidhje me shkarkimin e pesë gjykatësve të Gjykatës Supreme. Sot, Këshilli kishte një seancë ku shkarkoi një gjykatës, ndërsa për një tjetër vendosi të ndërpresë procedurën. Në deklaratën për shtyp, megjithatë, nuk zbuluan se për cilët gjykatës bëhet fjalë. Sipas informatave jozyrtare, i shkarkuari është gjykatës nga Ohri.
Alsat-M

