Kuvendi sot pasdite me 73 vota “për” dhe asnjë “kundër” votoi Deklaratën për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike për anëtarët e këshillave dhe për kryetarë të komunave dhe të Qytetit të Shkupit.
Deklarata është parashtruar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare. Në të, Kuvendi shpreh unitet mbipartiak për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike që së bashku me sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore janë shtyllat themelore të shoqërisë demokratike, ndërsa angazhohet për respektim të përpiktë të parimit kushtetues, qytetari të drejtën e tij zgjedhore ta realizojë drejtpërdrejt, në zgjedhje të lira me votim të fshehtë, ndërsa e dënon në mënyrë shumë të ashpër votimin familjar dhe grupor, si mundësi për manipulim me votat e qytetarëve dhe ndikim mbi rezultatet zgjedhore.
Kuvendi, gjithashtu, e konfirmon angazhimin e vet për shoqëri me mundësi të barabarta për pjesëmarrje në proceset politike, në të cilën secili qytetar përmes zhvillimit të proceseve dhe institucioneve demokratike ka mundësi të barabartë për të marrë pjesë në vendimmarrjen, i jep mbështetje të plotë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe organeve dhe institucioneve të tjera për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve korrete, të lira dhe demokratike përmes sigurimit të kushteve për shprehje të lirë të vullnetit të qytetarëve, pa frikë, presion, diskriminim, kërcënime ose manipulime, si dhe mbështetje të plotë për sigurimin e mbikëqyrjes së pavarur dhe efikase të gjithë procesit zgjedhor, nga organizata, shoqata dhe media vendore dhe të huaja, në përputhje me ligjin, rregullat për mbikëqyrje të zgjedhjeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe standardet ndërkombëtare.
Bëhet e ditur nevoja për fushatë korrekte dhe demokratike, me ç’rast e thekson rëndësinë e tolerancës politike dhe respektin mes opsioneve të ndryshme politike dhe ideologjike të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe në këtë drejtim veçanërisht e dënon gjuhën e urrejtjes, dhunës dhe diskriminimit, bëhet e ditur rëndësia e mediave dhe prezantimit mediatik të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore për promovimin e kandidatëve, politikave dhe qëndrimeve të tyre. Në këtë drejtim e thekson nevojën e sigurimit të qasjes korrekte deri te mediat e të gjithë pjesëmarrësve në fushatën, ndërsa i dënon në mënyrën më të ashpër fushatat që përhapin dezinformata dhe të pavërteta, me qëllim që të diskreditohet ndonjë individ, institucion, parti politike ose organizatë.
Deklarata e Kuvendit dënon edhe çfarëdo forme të korrupsionit zgjedhor, keqpërdorim për qëllime partiake të resurseve dhe institucioneve shtetërore, dhënie ryshfet dhe shantazh dhe çfarëdo sjellje tjetër e pjesëmarrësve me të cilën mund të vihet në pikëpyetje respektimi i vlerave dhe standardeve demokratike në gjithë procesin zgjedhor.
Kryeparlamentari Afrim Gashi para deputetëve porositi se me Deklaratën, Parlamenti dërgon mesazh të fortë dhe të qartë për bashkimin e dallimeve mbipartiake për të shçrehur vullnetin e fortë për të garantuar zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.
“Kjo deklaratë që dua ta miratojmë njëzëri nuk është vetëm akt formal, por është shprehje për përcaktimin e Kuvendit, e të gjitha partive, si dhe të gjithë deputetëve, qytetarëve tanë t’u sigurojnë kushte të njëjta dhe të barabarta në mënyrë që t’i zgjidhin lirshëm përfaqësuesit e tyre në komunat dhe në kryeqytet. Dua zgjedhje ku gara politike do të zhvillohet pa incidente dhe konflikte, pa presion dhe frikë, pa
nënçmim dhe ofendime, por në mjedis të shëndoshë demokratik. Duam që vullneti i qytetarëve të jetë i shprehur qartë, lirshëm dhe ndershëm meqë vetëm në këtë mënyrë zgjedhjet do të kenë legjitimitet të plotë. Vetëm në këtë mënyrë vullneti i qytetarëve do të reflektohet në raport me atë se kush do t’i përfaqësojë në katër vitet e ardhshme”, tha Gashi.
Sipas tij, Kuvendi në këtë moment të rëndësishëm dërgon mesazh të qartë – ne jemi të bashkuar për të paraqitur kulturë shumë më të lartë politike që duam ta shohim në fushatën parazgjedhore dhe duam që ajo të jetë e plotësuar me ide, programe dhe vizione, e jo me ndarje, ofendime, ose gjuhë të urrejtjes.
“Kjo deklaratë të jetë udhërrëfyese për gjithë ne, partitë, institucionet, mediat dhe para së gjithash për qytetarët tanë në mënyrë që zgjedhjet e 19 tetorit të jenë shembull për demokraci të konsoliduar dhe të pjekur. Kemi detyrim të tregojmë se demokracia jonë po piqet dhe se jemi të aftë të garojmë pa frikë dhe dhunë”, porositi Gashi.
Skendar Rexhepi nga Fronti opozitar evropian, i cili mori fjalën i pari, tha se nuk do ta mbështesë deklaratën, duke vlerësuar se është vetëm një fletë boshe që nuk ka kurrfarë rëndësie në jetën praktike për arsye se pikat që i përmban nuk kanë kurrfarë lidhje me realitetin, duke bërë të ditur mes tjerash se “ka njerëz që do të humbasin në zgjedhjet, të cilët inskenojnë incidente ndërfetare mes shqiptarëve”.
“Nëse heshtim për këtë, si mendojmë se do të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike. Opinioni duhet ta ketë të qartë se me këtë vendim Kuvendi ka nevojë për fushatë zgjedhore dhe në këtë drejtim i dënon gjuhën e urrejtjes, por ditëve të fundit ka thirrje publike për dhunë, diskriminim e madje edhe luftë me shqiptarët”, tha Rexhepi, duke vlerësuar se nuk ka dënim nga institucionet.
I replikoi Adnan Azizi nga Vleni duke bërë të ditur se institucionet kanë informacione të sakta, siç u shpreh, për të arratisurin, i cili gjendet në listën e zezë, si dhe për atë se ka pasur tentime për destabilizim dhe tentim nga grupe të dyshuara për t’u vënë flakën objekteve fetare. “Këto informacione i ka edhe shteti. Mos u bën mashtrues duke folur në emër të shqiptarëve dhe besimtarëve”, tha Azizi.
Nikolla Micevski, koordinatori i grupit parlamentar nga VMRO-DPMNE-ja, po ashtu në replikë ndaj Rexhepit bëri të ditur se ka pritur që deklarata të jetë e miratuar në mënyrë aklamative në mënyrë që të mbështetet procesi zgjedhor ashtu siç duhet të jetë.
“Është nënshkruar nga të gjithë koordinatorët dhe e shikojmë kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit me mendim ndryshe nga Fronti evropian. Pyetem nëse Blerim Rexhepi ka të drejtë kur e nënshkroi këtë në emër të Frontit Evropian, apo Skender Rexhepi i cili gjen vërejtje dhe që mbajti fjalim për 20 tetorin, një ditë pas zgjedhjeve kur do të duhet t’i tregojë arsyet pse ka humbur”, tha Micevski.
Koordinatori i Frontit evropian Blerim Bexheti, nga ana tjetër, bëri të ditur se e nënshkruajnë deklaratën në mënyrë që t’i japin shansin procesit për zgjedhje korrekte dhe demokratike, por, bëri të dituru, jo deklarativisht, kjo duhet të jetë edhe në praktik. Mes tjerash, kërkoi që prokurori të thotë “cilët janë ata njerëz të angazhuar nga shteti fqinj për t’i vënë flakën xhamisë në Tetovë“.
Gjatë debatit deputetë e bllokut shqiptar shkëmbyen fjalë të pahijshme. Ndaj fjalimeve të këtilla reagoi Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja i cili kërkoi pauzë prej 10
minutash, siç u shpreh, në mënyrë që t’i rikthehet dinjiteti Kuvendit. Bëri të ditur se pika ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike dhe se „disa ditë para fillimi të fushatës nuk është në rregull që të debatohet me fjalor të këtillë“.
Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët tha se do të votojë për deklaratën, por vlerësoi se “zgjedhjet do të jenë antidemokratike për arsye se, siç u shpreh, kemi qytetarë të privilegjuar me të drejtë vote të cilët kanë impakt në përcaktimin e numrit të këshilltarëve dhe qytetarëve të diskriminuar të cilët nuk kanë impakt”.
Mbështetje në emër të “ZNAM” shprehu deputetja e kësaj partie dhe nënkryetare e Kuvedit Vesna Bendevska. Ajo kritikoi se në debatin askush nga deputetët nuk ka folur për pikat e deklaratës dhe porositi se zgjedhje korrekte dhe demokratike janë ato që do të rezultojnë në përputhje me vullnetin e lirë të qytetarëve.