Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë mbledhjen e 25-të për heqjen e imunitetit për gjashtë deputetët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, për shkak të paraburgimit për ngjarjet e 27 prillit në Parlament. Për heqjen e imunitetit nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 votave.
Me këtë do të përfundojë procedura e paraparë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës për heqjen e imunitetit të deputetit për Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski.
Është e qartë se Kuvendi do t’ua heqë imunitetin deputetëve, por edhe përkundër kësaj, ata, sipas legjislaturës dhe Kushtetutës, do të mbeten në funksionin e deputetit derisa aktvendimi i mundshëm i Gjykatës penale nuk bëhet i plotfuqishëm dhe nëse deputeti është i dënuar për vepër penale për të cilën është caktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej së paku pesë viteve.
Mbledhjen e Parlamentit për heqjen e imunitetit, spikeri Talat Xhaferi e caktoi pasi që dje Komisioni për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit me votim individual vendosi t’ua heqë imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Në mbledhje morën pjesë deputetët e LSDM-së, si dhe disa nga BDI dhe BESA. Të zgjedhurit e popullit nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, si dhe deputetët për imunitetin e të cilëve u debatua, edhe pse të ftuar, nuk morën pjesë në mbledhje.
I vetmi që foli në mbledhje ishte deputeti Aleksandar Kiracovski nga LSDM, i cili shkurtimisht vlerësoi se ngjarjet e 27 prillit ishin sulm ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues të vendit dhe tentativë për rrezikimin e jetës së deputetëve nga opozita e atëhershme. Institucionet e Republikës së Maqedonisë, sipas tij, kanë detyrë ta zbardhin këtë rast për të mos u përsëritur më asnjëherë. Situata, shtoi ai, është shumë e pastër, faktet janë të dukshme, argumentet janë më të mëdha se të gjithë ne.
Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së doli me kumtesë në të cilën thekson se vendimi i Komisionit për Çështje të Rregulloreve dhe të Mandatit dhe Imunitetit nuk është bazuar në fakte dhe argumente, por në dëshirën për revanshizëm politik të LSDM-së dhe ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, por edhe ndaj shumë qytetarëve.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se fajtorët për dhunën në Kuvendin e RM-së më 27 prill duhet të përgjigjen, por se duhet të respektohet edhe presumcioni i pafajësisë.
Gjashtë deputetët janë pjesë e 36 personave të cilët Prokuroria Themelore Publike i ndjek për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë

