Kuvendi, në seancën plenare të caktuar për sot më 18 shkurt, pritet t’i konfirmojë dorëheqjet e kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, si dhe të anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Cveta Ristovska. Menjëherë pas këtyre vendimeve, siç informojnë nga Kuvendi për MIA-n, do të fillojë procedura për zgjedhjen e një kryetari të ri të KRRE-së dhe një anëtari të ri të KSHPK-së.
Procesin e zgjedhjes së tyre do ta udhëheqë Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në seancën e 85-të, gjithashtu e caktuar për 18 shkurt, në rend dite pritet të jetë edhe zgjedhja e një gjyqtari të ri kushtetues.
Në mbledhjen e mëparshme të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, për gjyqtar të ri kushtetues është propozuar Goce Naumovski. Kjo vjen pasi gjyqtarja kushtetuese Jadranka Daboviq Anastasovska në dhjetor dha dorëheqje për arsye shëndetësore. Aktualisht, rendi i propozuar i ditës për seancën e 85-të të së mërkurës përfshin edhe Propozimin për emërimin e një anëtari (të angazhuar jo profesionalisht) në Këshillin e Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, si dhe Propozim-ligjin për prodhimin organik bujqësor, në lexim të parë. Para fillimit të shqyrtimit të pikave të rendit të ditës, është paraparë mbajtja e pyetjeve parlamentare nga opozita drejtuar kryeministrit dhe ministrave.


