Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar me 80 vota pro Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, i njohur ndryshe edhe si “Ligji për Medresenë”.
Ky ligj, që do të hyjë në fuqi nga muaji shtator, u jep status të barabartë shkollave fetare në raport me institucionet publike të arsimit të mesëm. Kjo do të thotë se nxënësit e medreseve do të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi si nxënësit e shkollave shtetërore, duke përfshirë njohjen e diplomave, të drejtën për ndjekje studimesh të mëtejshme dhe përfshirje në sistemin arsimor kombëtar.
Miratimi i këtij ligji përbën një hap të rëndësishëm drejt barazisë, gjithëpërfshirjes dhe respektimit të lirisë fetare në arsim.