Mbrëmjen e kaluar, në seancën maratonë Kuvendi ka kaluar me 73 vota pro dhe 14 kundër, projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Ky akt normativ, i miratuar pas mesnatës, pati kundërshti të forta nga opozita, e cila kërkoi publikimin e listës së përfituesve të kësaj amnistie fiskale.
Ligji i miratuar parashikon që të gjitha detyrimet e akumuluara deri më 31 dhjetor 2014 të fshihen automatikisht, përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në total, nisma prek rreth 2 miliardë euro detyrime, nga të cilat rreth 1 miliardë euro do të falen plotësisht, pasi i përkasin borxheve me mbi 10 vite vjetërsie, pa llogaritur detyrimet e sigurimeve.
Ndryshe nga borxhet e deritanishme, detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara gjatë periudhës 2015–2024 do të përfitojnë lehtësime vetëm nëse tatimpaguesit kryejnë pagesat përkatëse.
Për detyrimet e mbledhura në vitet 2015–2020, ligji parashikon falje të 50% të borxhit nëse pjesa tjetër shlyhet me një këst brenda qershorit 2026. Në rast të mosplotësimit të këtij kushti, falja ulet në 25%, me kusht që 75% e mbetur të paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit 2026. Në të dy skenarët, gjobat dhe kamatëvonesat do të zerohen.
Tatimpaguesit me detyrime të krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024 do të përfitojnë fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse shlyejnë të gjitha detyrimet brenda vitit 2026.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit, deputeti i PD-së Eno Bozdo paraqiti dy amendime, të cilat u rrëzuan. Propozimet përfshinin përjashtimin nga falja të subjekteve në pronësi të individëve që kanë marrë financime publike që prej vitit 2015 ose kanë deklaruar bilance pozitive duke paguar rregullisht detyrimet tatimore pas vitit 2020. Një tjetër amendament kërkonte publikimin deri më 31 janar 2027 të një liste prej 3000 tatimpaguesish që përfitojnë shumat më të mëdha të fshirjes së detyrimeve, përfshirë të gjithë subjektet me borxhe të falura mbi 5 milionë lekë.


