Kuvendi ka mbyllur javën e katërt të debateve maratonike dhe pa asnjë epilog. Edhe në debatin e sotëm ku në rend dite ishte formimi i komisionit për zgjedhje dhe emrim, deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë polimizuar mes veti, por duke lëshuar akuza në adresë të LSDM-së për të ashtuquajturën platforma e Tiranës. Përveç kësaj deputetët e VMRO-DPMNE-së, janë ankuar edhe për diskriminimin e maqedonasve në komunat e udhëhequra nga shqiptarët si dhe për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit.
“Këto ngjarje, dilema, rrethana në Maqedoni duhet t’i shohim edhe nga prizmi i politikës ditore por edhe nga prizmi afatgjat. Duke menduar për 20 ditët e ardhshme ose për 100 ditët e ardhshe, duhet të mendojmë edhe për 20 vitet e ardhshme dhe për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli, reagoi kundër diskutimeve të këtilla dhe kundër kërkesës së VMRO-së për zgjedhje të reja parlamentare. Ai tha se zgjedhjet e reja nuk paraqesin zgjidhje për krizën në të cilën ndodhet Maqedonia.
“Deputetja Zaturovska në fjalimin e saj përmendi se zgjedhjet e parakohshme do të ishin dalje nga kriza në të cilën gjithë jemi future. Ju pasi ende jeni duke qeveris me institucioneve, para dy ditëve në ministrinë e jashtme është hapur shpallje e brendshme për plotësimin e vendeve në përfaqësitë tona diplomatike. Kjo është në kundërshtim me ligjin sepse kemi një ministër i cili në të njëjtën kohë është edhe deputet. Si mendoni a nuk është kjo në kuadër të fushatës e cila bëhet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Zendeli.
Ndërkaq as nga LSDM nuk ka pasur asnjë informatë se kur do të fillojnë me zbatimin e strategjisë për debllokimin e Kuvendit.