Hetimet do të tregojnë nëse Hristijan Pendikov është sulmuar në Ohër për shkak se është ndjerë si bullgar dhe policia do të përgjigjet për detajet e ankesës së Hristijanit për kërcënimet tre ditë përpara se të rrihet. Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një intervistë për televizionin bullgar “BTV”, në lidhje me incidentin në Ohër.
“Ajo që është e rëndësishme për mua është ajo që tha Hristiani dhe nëna e tij, e cila është se arsyeja e incidentit ishte shprehja e tij se ai i përkiste komunitetit bullgar. Edhe pse sulmuesit thonë ndryshe, se kanë pasur keqkuptime edhe më parë, për mua është e rëndësishme ajo që ka thënë viktima dhe prindërit e saj.”- deklaroi Bujar Osmani – ministër i punëve të jashtme.
Ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski incidentin e sheh si provokim për të shkëputur vëmendjen nga e ardhmja evropiane e vendit. Shtoi se asnjëherë nuk e arsyeton dhunën dhe as provokimet çfarëdo qofshin ato.
“Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të arsyeshëm, por nuk duhet të jemi naivë. Ky është një shpërqendrim klasik, në një mënyrë vërtet perfide, për të shkëputur vëmendjen nga e ardhmja jonë evropiane. E gjithë kjo që po ndodh ka implikime sepse kjo nuk është një ndeshje ku luajnë Pelisteri dhe Vardari, apo MZT dhe Rabotniçki. Kjo është e ardhmja jonë, për të cilën po flasim.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.