Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë duhet të votojë për nevojën për miratimin e Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq në fazë të dytë deputetët do të mund të dorëzojnë amendamente.
Deputetët e opozitës edhe dje kërkuan tërheqjen e këtij propozim-ligji, ku sipas tyre ky ligj nuk i ndihmonë qytetarët e Maqedonisë dhe len jashtë bashkësitë tjera etnike. VMRO-DPMNE akuzon Qeverinë se po keqpërdor siglën e BE-së me arsyetimin se nuk përmendet se me cilin ligj të BE-së përputhet propozim ligji për gjuhët. Deputeti Emil Dimitriev, ndër të tjera në deabtin e djeshëm(e martë) tha se ligji nuk duhet t’i dedikohet një ose dy gjuhëve por të gjitha gjuhëve që fliten në vend. Sipas paralajmërimeve pritet që opozita të dorëzojë më shumë amendamente me të cilat nga ligji do të hiqen dispozitat të cilat janë jashtë Kushtetutës.
“Duam sistem më të mirë, ligje më të mira, jetë më të mirë për të gjithë. Të dërgojmë mesazh se Kuvendi do t’ua garantojë të gjitha të drejtat qytetarëve, pavarësisht se nga cili etnikum vijnë dhe në cilën gjuhë flasin”, theksuan deputetët e shumicës qeveritare gjatë debatit.
Votimi për të do të bëhet sot(e premte), për shkak se dje kishte mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve të shumicës parlamentare në Kuvend. Pasi të bëhet votimi, atëherë ligji do të kalojë në lexim të dytë.
Amendamentet për Propozim-ligjin do të shqyrtohen në Komisionin për çështje evropiane, për shkak se ligji është me flamur evropian. Pastaj ligji në lexim të dytë do të shkojë sërish në seancë plenare në debat dhe në prononcimin final të deputetëve për tekstin.
Në rend dite të seancës së 15-të të Kuvendit janë edhe Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për përdorim të gjuhës maqedonase, Propozim-ligji për shfuqizimin e Ligjit për artistin e kombit të Republikës së Maqedonisë, Propozim-ligji për lëshimin e bonove me vlerë – vauçerë, të gjitha në lexim të parë, si dhe interpelancat për punën e ministrave të Financave Dragan Tevdovski, të Kulturës Robert Allagjozovski dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, të parashtruara nga deputetët opozitarë.
Ndryshe, propozim-ligji i ri për përdorimin e gjuhëve avancon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel lokal dhe qendror, duke rregulluar paralelisht parimet, mënyrën dhe përgjegjësinë e institucioneve për të siguruar përdorimin zyrtar të gjuhës që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e tij kundrejt të drejtës së qytetarëve për ta përdorur dhe për ta zbatuar atë gjuhë në procedurat zyrtar./Almakos

