Edhe në vazhdimin e katërt të seancës konstituive të Kuvendit, pjesën më të madhe të kohës deputetët debatuan për probleme dytësore kurse më pak ju qasen pikave të rendit të ditës. Diskutimi filloi nga kushtet për zhvillimin e sportit, bujqësisë, testimin ekstern, kushtet dhe ushqimin në shtëpitë e studentëve, në spitale dhe në qytetet tjera për të përfunduar në përplasje për deklaratën e partive shqiptare. Gjatë debatit pati akuza për ndarjen e mundshme të Maqedonisë nga njëra anë dhe akuza për shmangie nga përgjegjësitë e kriminaliteti, nga ana tjetër.
Qytetarët në zgjedhje veçanërisht në pjesën e bashkësive më të vogla etnike dhe popullit maqedonas u mashtruan. Më shumë se 70% e deputetëve të LSDM-së akoma nuk e kanë parë ligjin për gjuhën shqipe të cilin BDI-ja e dakordoi me LSDM-në. Përskaj respektimit të ndjenjave të shqiptarëve në Maqedoni duhet të respektohen edhe ndjenjat e maqedonasve, turqëve, vllahëve, boshnjakëve dhe të gjithëve – Ilija Dimovski, VMRO DPMNE
U propozoj të gjithëve që të klikoni në njërën nga ueb faqet e Qeverisë e cila akoma udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja dhe aty do të shihni dokument me nënshkrim dhe vulë të Qeverisë ku thuhet se duhet të sillet ligj i ri për përdorimin e gjuhëve, me vulën e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së gjithashtu shkruan për diskutim të gjerë për simbolet kombëtare – Radmilla Sheherinska, LSDM.
Dua të ua bëj me dije; në këtë përbërje parlamentare, nuk e di kur do të zgjidhet Talat Xhaferri kryetar parlamenti por një ditë do të zgjidhet. VMRO-DPMNE-ja në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë kryetar Kuvendi se nuk i ka numrat. Është leksion elementar në demokraci, nuk i ka 61 deputetë. BDI-ja dhe Aleanca për shqiptarët në këtë përbërje parlamentare janë në koalicion me LSDM-në – Xhevat Ademi, BDI.
Deputetët nuk arritën marrëveshje as për ndërprerjen e fjalimeve procedurale të cilët në pjesën më të madhe të kohës nuk kanë të bëjnë me vërejtje për zhvillimin e seancës.
Pas katër ditë radhazi debat, janë shterur replikat dhe kundër-replikat vetëm për tre fjalimet e para të deputetëve nga gjithsej 51 të paraqitur.
Fatlume Dervishi