“Amendamenti nuk pranohet”. Kjo është përgjigjja e vetme ndaj amendamenteve për rishikimin e buxhetit të Qeverisë, me të cilat kërkohet që të ndahen mjete për ujësjellësa, rrugë, shkolla dhe kushte tjera elementare për jetesë në vendbanimet shqiptare. Përderisa gjatë ditës së dytë të debatit për rishikimin e Buxhetit të Qeverisë diskutoheshin amendamentet e PDSH-së, me të cilat kërkohen kushte elementare për vendbanimet shqiptare, ministri i Financave Kirill Minovski, nuk i pranonte ato, ndërsa deputetët e BDI-së nuk ndodheshin në sallë. “Amendamenti nuk Pranohet”, u përgjigj shkurt Kirill Minovski, Ministër i Financave.
Nga PDSH, ka reaguar deputeti Ernad Fejzulahu. Ai i akuzoi deputetët e BDI-së, se janë shpirtshitur dhe me vetëdije mbështesin buxhetet dhe rishikimet e buxheteve në të cilat nuk janë të përfshirë shqiptarët.
“Le të vijnë këtu dhe le t’u thonë qytetarëve se nuk ka ujë në tetov dhe ne nuk e pranojmë amendamentin e PDSH-së, që Tetova të ketë ujë. Nuk e pranojmë amendamentin që Spitali i Tetovës të ketë kushte minimale si klinikë, nuk e pranojmë amendamentin e PDSH-së, për t’u larguar deponitë nga çdo skutë e qytetit të Tetovës, që edhe deponinë nuk e ndërtojnë sepse edhe me mbeturinat bëjnë krim dhe korrupsion”, deklaroi Ernad Fejzullahu, PDSH.
Nga BDI për rishikimin e buxhetit u shprehën vetëm gjatë ditës së djeshme ku deputeti Rexhail Ismaili deklaroi se e mbështesin Rishikimin e Buxhetit të Qeverisë. Ndërsa, nga PDSH, këtë e kanë quajtur si Buxhet antishqiptar, pasi të gjitha projekteve në vendbanimet shqiptare u janë marrë paratë dhe janë dedikuar në projektet në vendbanimet maqedonase. PDSH ka dorëzuar 320 amendamente në të cilat kërkohet mjete për spitale, rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe kushte tjera elementare në vendbanimet shqiptare. Kuvendi do të diskutojë për propozim rishikimin e buxhetit deri në fund të javës që vjen dhe më pas duhet të votojë për të mbështetur ose jo këtë propozim të Qeverisë.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Nuk pranohen amendamentet e PDSH-së, BDI ikën… by tvshenjaofficial