Rrogë më së voni më datën 5 në vend se më datën 15 si dhe pushim të lindjes prej 18 muajve në vend të 9 muajve, janë dy propozim ndryshime të ligjit për marrëdhënie pune të dorëzuara në Kuvend nga “E Majta”, e të cilat për nesër janë vendosur si pika të para të seancës së 42të.
“Rroga e punëtorit për muajin që rrjedh, paguhet më së voni deri ditën e pestë në muajin e ardhshëm”, thuhet në propozim ndryshimin e së “Majtës”.
Pagesa e rrogës deri më datën 15, nuk është në funksion të rrethanave reale ekonomike në të cilën gjenden punëtorët ndërsa e njëjta ndikon në stabilitetin ekonomik të shtetit. Gjithashtu, punëtori nuk guxon të detyrohet të marrë kredi të shpejta, e të hyjë në minuse me kamata të larta derisa gjysmë muaji pret që ta marrë rrogën, thonë nga e Majta. Në fakt kështu ndodhë te një pjesë bukur e mirë e punëtorëve, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik. Madje këto afate, shpesh ndodhë që edhe të tejkalohen, duke vonuar rrogat me ditë e me muaj të tërë. Vonesa e rrogave më shpesh ndodhë në ndërmarrjet publike qoftë të menaxhohen nga Qeveria, ashtu edhe nga pushteti lokal. Përpos vonesave të rrogave, keqpërdorime të shumta ndodhin edhe në pjesën e pagesës së sigurimeve shëndetësore e pensionale. Në sektorin privat veçanërisht, ndodhë që punëtorët të mos kenë sigurim të paguar shëndetësor me muaj të tërë, e me çka u pamundësohet trajtimi shëndetësor falas në mjek.
Propozim ndryshimi tjetër ka të bëjë me nenin 165 të ligjit për marrëdhënie pune, e cila ka të bëjë me punëtoret shtatzëna dhe periudhës së amësisë. E Majta propozon që pushimi i lindjes të zgjatet nga 9 në 18 muaj, ndërsa kjo të vlejë edhe për gratë që kanë adoptuar fëmijë.
“Punëtorja gjatë kohës së shtatzënisë, lindjes dhe amësisë ka të drejtë në pushim nga puna me pagesë në kohëzgjatje prej 18 muajsh pa ndërprerë, pa dallim nëse ka lindur një apo më tepër fëmijë për njëherë (binjakë, trinjakë apo më tepër)”.
Paragrafi 6 ndryshon dhe thotë:
(6) E punësuara e cila adopton fëmijë ka të drejtë të mungesës derisa fëmija të mbushë 18 muaj, pa dallim nëse ka adoptuar një apo më tepër fëmijë (dy ose më tepër)”.
Hulumtimet thonë se ndërtimi I një lidhjeje të shëndoshë mes prindit dhe fëmiut të porsalindur në periudhën e hershme të lindjes është e rëndësishme për shkak ndikimit afatgjat në marrëdhëniet prindër-fëmijë. Lidhja mes nënës dhe foshnjës është me rëndësi të veçantë për shëndetin dhe zhvillimin psikologjik të fëmisë. Nga ana tjetër, periudha e shtatzënisë por edhe viti i parë pas lindjes, paraqet periudhë për përkeqësimin e shëndetit mental përshkak faktorëve të brendshëm fiziologjik, psikologjik dhe sociologjik.
Shumica e grave në fakt pushimin prej nëntë muajve e llogarisin si shumë të shkurtër ndërsa shpesh ndodhë që punëtoret pa vendim pune, gjegjësisht me kontrata në vepër, të kthehen në punë vetëm dy javë pas lindjes, nga frika që mos e humbin edhe atë vend pune që e kanë pa vendim. Pushimi i lindjes sipas ligjit i takon edhe babait por nëse babai shfrytëzon pushim, ato ditë të pushimit shkurtohen nga pushimi i nënës.
Dy propozim ndryshimet e ligjit, në Kuvend janë dorëzuar me procedurë të shkurtuar. Deri tani, të gjitha propozim ndryshimet e ligjeve që janë dorëzuar nga “E Majta”, janë refuzuar nga shumica parlamentare. /Alsat.mk