30 July 2018 / 14:48
Anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhanë betimin para kreut të Kuvendit.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski deklaroi se do të bëjnë gjithçka që i takon në bazë të kompetencave me qëllim organizimin e referendumit sipas dispozitave ligjore.
“E shihni përbërjen e KSHZ-së, të gjithë janë njerëz me eksperiencë në punën e tyre dhe shumica prej tyre janë ish anëtarë të KSHZ-së. Konsideroj se detyrës së besuar do t’i përgjigjemi me përgjegjësi dhe respekt ndaj ligjeve dhe Kushtetutës. Ne si KSHZ do të bëjmë gjithçka që është në kuadër të kompetencave tona me qëllim që të ketë sukses besimi i dhënë, thënë ndryshe organizimi i referendumit – deklaroi Oliver Derkovski, Kryetar i KSHZ-së.
Përbërja e porsazgjedhur do të ketë mandat afatshkurtër. Gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor, Kuvendi duhet të shpall konkurs për përbërje të re të KSHZ-së. Përbërja paraprake u shkarkua pas dorëheqjeve për çështje morale mbi bazën e skandalit të denoncuar nga ambasadori amerikan Xhes Bejli për rrogat shtesë që kishin marr anëtarët e KSHZ-së gjatë zgjedhjeve lokale e që për këtë kishin vendosur unanimisht në mbledhje jo publike. Nga dhjetori i vitit kaluar, opozita dhe pushteti negociuan për të gjetur gjuhën e përbashkët për KSHZ-në. Ndonëse se LSDM-ja i ofroi VMRO-DPMNE-së postin e kryetarit të KSHZ-së, pas shpalljes së konkursit dhe në fazën e filtrimit të kandidatëve, opozita kushtëzoi përbërjen e Komisionit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin mbi Qeverinë dhe Ligjin mbi financimin e partive politike. Për të tejkaluar pengesat, Qeveria propozoi ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të bënin që anëtarët e KSHZ-së të zgjidhen me shumicë të thjeshtë dhe jo me 2/3 e votave. Megjithatë, takimi i liderëve hodhi poshtë propozimet, ndërsa Komisioni për zgjedhje dhe emërime, pas propozimeve të dërguara nga partitë politike, propozoi anëtarët e rinj.
Adrian Kerimi