Pas votimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve presidenti Gjorgje Ivanov doli me deklaratë për mediat se të njëjtin nuk do ta dekretojë, duke e quajtur “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.
Mirëpo, sipas shumicës parlamentare dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi , presidenti Gjorgje Ivanov është i obliguar në bazë të nenit 75 të Kushtetutës së Maqedonisë që të nënshkruajë ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe se nëse vepron ndryshe do të shkelte Kushtetutën e Maqedonisë.
“Me paralajmërimet se nuk do ta nënshkruajë Dekretin për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Gjorge Ivanov tenton ta vendos veten mbi Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe të veprojë si mbetje e regjimit të humbur.Ivanov është i obliguar të veprojë sipas nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë në të cilin qartë theksohet se nëse presidenti nuk e nënshkruan dekretin për shpallje të Ligjit, Kuvendi sërish ta shqyrtojë ligjin dhe nëse e miraton me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti i Republikës është i obliguar ta nënshkruajë dekretin”- thuhet në qëndrimin e LSDM-së.
Se presidentin e obligon Kushtetuta që të dekretojë ligjin për përodirmin e gjuhëve e thotë edhe Gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu, I cili thekson se në rast se deri tek Gjykata Kushtetuese do të parashtrohet ankesë rreth këtij ligji, e njëjta do të trajtohet me profesionalizëm.
“Për mendimin tim presidenti e shfrytëzoi njëherë të drejtën e vetos dhe tani sipas Kushtetutës të vendit, mendoj se presidenti është i obliguar ta nënshkruajë ligjin. Sa i takon situatës që mund të krijohet nëse ligji për gjuhët përsëri nuk firmoset nga presidenti Gjorgje Ivanov, jam i sigurtë se në pjesët e Rregullores së Kuvendit, të Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin parashikohet se si të veprohet në rastet e tilla, që më pas ligji të mund të publikohet në Gazetaën Zyrtare dhe ligji të hyjë ne fuqi. Mendoj se në këto tre akte që përmenda ka patjetër dispozita të cilat parashikojnë, se si të veprohet nëse krijohet situata e tillë me mos firmosjen e ligjit nga presidenti. “- tha Kadriu.
Gjatë ditë së sotme rreth Ligjit për përdormin e gjuhëve është deklaruar edhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian (KE). Kocijançiq ka deklaruar se KE-ja pret që ligji të dërgohet në Komisionin e Venedikut dhe zbatimi i tij të jetë në përputhje me standartet europiane.
Ligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në fuqi pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare. Më pas i hapet rruga opozitës, nwse vendos, për të parashtruar ankesë deri në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e tij.
Maqedonia shpeshherë është kritikuar se miraton ligje, por se ngecje ka në zbatimin e tyre dhe kjo do të jetë sfida me të cilën duhet të përballet shteti në të ardhmen.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com