<
Nesër Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë lidhur me kërkesën e grupit të punës për zhbllokimin e punës së krerëve të Komunave. Nuk përjashtohet mundësia që Kushtetuesja në mbledhjen e nesërme të refuzojë iniciativat e Ministrisë së drejtësisë dhe pushtetit lokal si dhe të Todor Petrovit nga Kongresi botëror Maqedonas të cilët kërkuan shfuqizimin e dy neneve nga ligji për pushtet lokal të cilat kufizonin mandatin e kryetarëve të Komunave në katër vjet. Kreu i Gostivarit Nevzat Bejta tha se pavarësisht vendimit të kushtetueses, për zgjedhjet e reja tashmë mund të vendos shumica parlamentare.
Përgjigjja do të jetë nesër. Sido që të jetë përgjigjja pozitive a negative, ne i respektojmë institucionet e shtetit. Por tani e kemi situatën më të kthjellët, do t’i drejtohemi Kryetarit të Kuvendit. Kryetarit të Kuvendit ia mundëson ligji që në bashkëpunim me të gjithë liderët e partive politike të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe kjo do të ndodhë – deklaroi Nevzat Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit.
Kreu i BNJVL-së Koce Trajanovski zgjidhjen e këtij ngërçi e shef në Kuvend. Ai apleoi shumicës së re ne Kuvend të miratojnë ndryshimet ligjore. Në të kundërtën ai thotë se nga muaji i ardhshëm komunat mund të bllokohen duke lënë punëtorët pa paga dhe pa shërbime tjera komunale.
Dua të potencoj se ky ligj sillet me shumicë të thjeshtë, pra me 61 deputetë. Pra mund ta parashtrojë një grup i deputetëve këtë ligj. Ky ligj nuk është ligj i komplikuar, mendoj këto ndryshime që do të bëhen nuk janë ndryshime të komplikuara. Ndryshimet janë shumë të thjeshta dhe nëse ka vullnet mendoj se kjo do të bëhet – dekalaroi Koce Trajanovski, kryetar i komunës së Shkupit.
Duke interpretuar iniciativat deri në Kushtetuese, akademiku Vllado Kambovski tha se nëse gjykatësit do të vazhdojnë mandatin kryetarëve dhe këshilltarëve, mund të përgjigjen penalisht. Mandati i krerëve të komunave skadon më 15 maj, ndërsa afati për shpalljen e zgjedhjeve të rregullta lokale skadoi më 06 mars. Shtyrja e tyre mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kodit Zgjedhor, për çka kërkohet më se 2/3 e votave në Kuvend.
Anesa Aliti

