Arbëror Velica nga Dibra thotë se sot rreth orës 15 është sulmuar fizikisht nga drejtori i Ndërmarrjes së Pyjeve Rami Lata, kushëri i kryetarit të komunës, Ruzhdi Lata.
“Rami Lata më sulmoi për shkak të një shkrimi që postova në facebook kundër Ruzhdi Latës. Rastin e denoncova në polici. Isha edhe në spital ku mora vërtetim për lëndimet që kamë marrë gjatë këtij sulmi, deklaroi Velica për Gazetën Lajm. Ai na e dërgoi edhe kopje të raportit mjekësor të bërë pas sulmit.
Kontaktuam edhe me shefin e policisë në Dibër, Rashit Ismailovski, i cili na tha që informacion zyrtar të kërkojmë te zëdhënësi i SPS-së së Ohrit.
“Përndryshe jemi duke punuar në këtë rast, mirëpo informacione zyrtare kërkoni te zëdhënësi i SPB-së në Ohër”, deklaroi Ismailovski. Zëdhënësi i SPS-së në Ohër, Stefan Dimovski ishte i pakapshëm sot pasdite për t’u pron0oncuar lidhur me rastin.
Rastin e ka denoncuar një bashkëqytetari i Arbërorit, emri e të cilit e posedon redaksia jonë.
“Klika mafioze e kryeplakut te Dibrës, kësaj here familjaret e tij te afërt si drejtori i pyjeve R.L. dhe dy familjare tjerë B.L. kane sulmuar fizikisht një qytetar Dibran te pafajshëm vetëm pse ai ka kritikuar qeverisjen e klanit mafioz te sipërpërmendur. Tash kur e kuptuan se pushteti i tyre është drejt fundit, se qytetaret e kuptuan te vërtetën e nuk gënjehen, kllapa e kriminalizuar e kryeplakut dhe familjes se tij përdorin mjetin e fundit te mbetur – dhunën. Me dhune dhe terror mundohen te detyrojnë dibranet ti mbajnë ne pushtet. Dibranet i treguan ne 11 dhjetor se sa përkrahje ka kryeplaku ne Dibër, ne zgjedhjet lokale do fundosin plotësisht, sa me shume dhune dhe presion aq me te rende do ta ketë humbjen”, deklaroi ky qytetar dibran.
Gazeta Lajm tentoi por nuk arriti të kontaktojë me kryetarin e komunës, Ruzhdi Lata, e as me familjarët e tij. Gjithsesi mbetemi të hapur për të publikuar edhe qëndrimet e tyre eventuale lidhur me këtë informacion.