LSDM thotë se VMRO-DPMNE-ja ia ka frikën kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe sekretarit gjeneral të socialdemokratëve Mile Zeçeviq, ndërsa partia e Mickoskit i sfidon për këtë duke u kërkuar të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu kanë vazhduar edhe sot përplasjet mes dy partive më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE.
“Dëshpëruese janë gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së. Sallat e mbushura me njerëz, nga të cilat dëgjohej përkrahja për një të ardhme europiane dhe për politikat e LSDM-së, është ajo që e frikëson VMRO DPMNE-në. Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE nuk e fshehin se janë pengje të Apasiev dhe kundërshtarë të rrugës europiane të shtetit. Shumica që e përkrah VMRO-DPMNE-në është vetëm një dëshirë e shkretë. Në vend që të gënjejnë, le të përveshin mëngët nëse duan të jenë kundërshtarë të denjë në zgjedhjet e rregullta të 2024-ës”, thonë nga LSDM.
Nga pallati i bardhë thonë se nëse janë të vërteta pohimet e LSDM-së, se VMRO-DPMNE i frikësohet Kovaçevskit, atëherë le t’i dëgjojnë deputetët e tyre dhe të shkohet në zgjedhje!
“LSD nuk e mohon se ka deputetë që u kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Nuk e mohojnë sepse e dinë se është e vërtetë dhe se gjithnjë e më shumë deputetë dhe zyrtarë partiakë nuk pajtohen me Kovaçevskin dhe Zeçeviqin. Për këtë arsye Kovaçevski dhe Zeçeviq ikin nga zgjedhjet, sepse janë të vetëdijshëm se do të humbasin thellë dhe kështu do të mbeten pa tenderët dhe milionat që ia vjedhin popullit”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Kohëve të fundit opozitarja VMRO-DPMNE i ka shpeshtuar deklaratat përmes të cilave kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa kreu i saj Hristijan Mickoski, është shprehur se zgjedhjet duhet të mbahen në pjesën e dytë të muajit maj, ndërsa sipas tij qeveria teknike do të formohej në shkurt.
Zgjedhje të parakohshme ka kërkuar edhe kreu i opozitares “Besa” Bilall Kasami.
Për Aleancën për Shqiptarët prioritet janë ndryshimet kushtetuese dhe lufta kundër korrupsionit. Sipas tyre, nëse këto eventualisht dështojnë, zgjedhjet janë të patjetërsueshme, si zgjidhje e ngërçit.
Partitë në pushtet janë shprehur kundër zgjedhjeve.