Kush janë katër vëllezërit shqiptarë që kanë lidhje me kartelin meksikan të drogës “Sinaloa”?

Kush janë katër vëllezërit shqiptarë që kanë lidhje me kartelin meksikan të drogës “Sinaloa”?

Rrjeti i kartelit meksikan “Sinaloa” duket se është shtrirë edhe në vendet ballkanike të Evropës Lindore, ku gjetën një terren më të përshtatshëm për të pastruar paratë nga aktivitetet e tyre të paligjshme për shkak të zbatimit të dobët të ligjit.

Ky kartel duket se po i pastron paratë edhe në Shqipëri në biznese, prona të paluajtshme dhe sektorin e turizmit.

Siç raportojnë mediat meksikane bosi i një fraksioni të kartelit të “Sinaloa-s”, Ismael Zambada García, i njohur me nofkën “El Mayo”, ka bërë aleancë me mafian shqiptare.

Sipas tyre “El Mayo” ka lidhjet e tij me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është vënë në shënjestër nga autoritetet financiare për aktivitetin e parregullt ekonomik të regjistruar në sektorët e turizmit dhe kazinove në Meksikë e Shqipëri, shkruan Top-Channel.

Ata zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar, së bashku me të tjerë.

Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit.

Sipas autoriteteve federale meksikane vëllezërit shqiptar po kryejnë një operacion në emër të kartelit “Sinaloa” për të transferuar miliona dollarë në vendin e tyre përmes kompanive fiktive.

Lidhjet mes karteleve meksikane dhe grupeve shqiptare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave ishin të njohura deri më tani, sipas autoriteteve të inteligjencës .

Sipas mediumit Vanguardia lidhja mes El Mayo Zambada dhe mafias shqiptare përfaqëson një mundësi për grupet kriminale meksikane që të zgjerohen në Shqipëri, një vend i vogël ish-komunist që po joshet nga paratë nga aktivitetet e paligjshme.