Joveski 63-vjeçar në punën e tij të deritanishme ka punuar në sferën penale. Më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës nëpër lëndë penale, ndërsa në një mandat e ka udhëhequr Gjykatën Themelore Shkupi 2, ndërsa ka edhe përvojë pune prej mbi 12 vite si prokuror publik dhe shtatë vite në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale.
Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për Gjyqësi të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të RM-së.
Në rend dite të seancës së sotme krahas emërimit të prokurorit të ri publik, janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë dhe Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, të dyja ligjet me procedurë të shkurtuar, si dhe Propozim-ligji për shfuqizimin e Ligjit për Këshillin për përcaktimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë për gjykatës, gjithashtu me procedurë të shkurtuar.
Ndryshe, Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.
Në shpalljen që e publikoi Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik shtetëror u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i prokurorëve publikë, me kërkesë të Qeverisë, dorëzoi mendim të elaboruar në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i përmbushin kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila kandidatët e propozuar i dorëzon në Kuvend.