Shkrim nga grup i pakënaqur brenda BFI
“Më të nderuarit nga Ummeti im janë bartësit (hafizët) e Kur’anit” (Hadith)
Përcjell Tirmidhiu nga Ebu Hurejre, r.a., se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: “Do të vijë sahibu-l-Kur’an (shoqëruesi me Kur’an, d.m.th., hafizi) në Ditën e Gjykimit, dhe Kur’ani do të thotë: ‘Allah, nderoje atë!’ Atëherë do t’i vihet mbi kokë kurora e dinjitetit. Kur’ani do të thotë: ‘Allah, shtoja atij!’ Atëherë do t’i vishet pelerina e dinjitetit. Kur’ani do të thotë: ‘Allah, bëhu i kënaqur me të!’ dhe do të jetë i kënaqur. Pastaj do të thuhet: ‘Lexo dhe ngrihu!’ Dhe me çdo ajet të lexuar ai do të ngrihet për një shkallë.”
Do ta lutja Zotin që të mos ishte e vërtetë kjo që lexova, sepse është rrëqethëse dhe paraqet një krizë më të gjerë jo vetëm për atë që e ka folur, por edhe për të tjerët rreth tij, sidomos për institucionin që për fat të keq përfaqësohet nga një njeri i institucionit nuk ka mund të ekzistojë pa Kur’anin, pa shkronjat e Kur’anit, pa mekamin e Kur’anit, pa mëshirën e Zotit.
Në portalin www.1kliklarg.com lexova këtë shkrim:
Sulejman Rexhepi i quan gomar e kuaj hafëzlerët nga tradita (Video)
Sot, gjatë përurimit të një hafèzeje të re të Tetovës, gjatë qëndrimit paksa të gjatë të Mulla Sulës ne xhami, është budallepsur fare duke e nxjerrë shpirtin e vet të kafshës që e kamuflon me lëkurë qengji.
Me këtë rast, gjatë fjalimit të padenjë për një rrugaç e analfabet, Mulla Sula do të theksojë fuqishëm se të gjithë ata që dalin hafiza e nuk kanë të mbaruar medrese e fakultet të shkencave islame i përkasin botës së kafshëve. “Ta nxëshe Kuranin përmendësh dhe mos ta kuptoshë është sikur ta ngarkoshë gomarin, i cili as nuk di sa e ke ngarkuar as me çka e ke ngarkuar”! E tha këtë abdall Sula para një numri të hoxhallarëve dhe askush nuk reagoi. Epo Sulejman Rexhepi ka zgjedhur staf ashtu siç është vetë, ai futet vetëm në atë mexhlis i cili xhindoset gjithnjë bashkë me Sulejman Rexhepin dhe, në një gjendje të tillë shpirtërore çdo budallaki e Mulla Sulës të duket “ders”!
Megjithatë, Sulejman Rexhepi dhe kopukët e tij, bythalëpirësit e tij, nga dita e sotit ia kanë një borxh të madh baballarëve dhe nënave tona, një kërkim falje për tërë atë pleadë hafëzlerësh, të cilët, ndonëse pa asnjë sekond shkolle, ishin rojtarë të paepur të Kuranit, si dhe bartës të lutjeve kuranore brez pas brezi. Këta hafëzlerë nga tradita sot Sulejman Rexhepi i quajti gomerë, kurse bashkëpunëtorët e tij në heshtje e miratuan ofendimin e Sulejman Rexhepit. Më e pakta që mund ta bënin ishte që me një shpullë të nxehtë t’ia tëkërlisnin shallin prej koke abdallit. Vetëm një gomar klasik do të mund që në mes të xhamisë ta konsiderojë gomar hafëzin e “pashkolluar”.
(https://1kliklarg.com/lajme/maqedona/sulejman-rexhepi-i-quan-gomar-e-kuaj-hafezleret-nga-tradita-video/)
Çka mund të thuhet pas gjithë kësaj? Hafizat e Kur’anit (hasha) gomerë!?! (Edhe pse fatkeqësisht nga videoja nuk dëgjohet nëse flitet për hafizlerët!) Sinqerisht diçka e padurueshme dhe e turpshme. Po nëse e ka pasur fjalën për ta, atëherë gjëja e parë që duhet ta bëjë ai është texhdidi iman dhe të kërkojë falje. Falje duhet të kërkojë për shumë arsye, duke qenë e para se është (jemi) i rrethuar nga njerëz para të cilëve mund të thuash gjithçka; dhe e dyta që ta shpëtojë vetveten në këtë botë dhe në botën tjetër.
Çdo fillim e ka mbështetjen e vet tek një metafizikë; për shembull, fëmijët e mësojnë gjuhën apo shkronjat pa marrë parasysh se nuk kanë diploma, ose se si i kuptojnë ata ato. Aftësia e të mbajturit mend është aftësi e thellë që dëshmon një metafizikë me një urtësi të lartë qiellore, sidomos kur bëhet fjalë për Fjalën e Zotit. Kjo ka qenë dhe mbetet enigmë, ku para dukurisë së tillë hesht edhe teknologjia, edhe arsyeja. Ka shumë fëmijë nëpër botë sot të cilët e mësojnë Fjalën e Zotit, pa marrë parasysh se nuk e njohin gjuhën arabe. Të këtillë kemi pasur dhe kemi edhe në hapësirën tonë. E ku mund të bëjmë vërejtje ne: vërejtja më e madhe është për ata hafiza që më pas e harrojnë peshën e hifzit, respektivisht e harrojnë hifzin. Kjo duhet kritikuar dhe është me vend. Do të ishte mirë që ky institucion fetar (jo siç është sot me në krye këtë person), ta merr guximin e marrjes së diplomave atyre hafizëve që e kanë harruar Kur’anin.
Mendësia e fyerjes së hafizave të Kur’ani ka qenë dhe si duket vazhdon të jetë një dukuri që për fat të keq konsiderohej si “kulturore”, “arsimore” e disa të shkolluarve që edhe në Medrese në kohën e ish-Jugosllavisë për hafizët thoshin se janë njerëz “bubalica” (shprehje sllave) që nuk dinë se çka thonë dhe çka nënkupton fjala, por që vetëm kanë mësuar përmendësh. Kur’ani është natyra që hesht, kurse natyra është Kur’ani që flet. Për ta kuptuar këtë nuk është shumë e vështirë, vetëm duhet pak mençuri dhe pjekuri; ka mundësi edhe të mos jetë besimtar për ta kuptuar diçka të tillë. Pastaj, nuk duhet harruar thënien e idhujtarëve në Kur’an që i lutshin familjet e tyre t’i mbyllin veshët që të mos e dëgjojnë Kur’anin, sepse kishin frikë se mos e pranojnë besimin, që ishte edhe e vërtetë. Sot kemi njerëz anembanë rruzullit tokësor që vetëm duke e lexuar apo dëgjuar Kur’anin e pranojnë Islamin. Dita-ditës një gjë të tillë është duke u dëshmuar; sot kemi mundësi të themi se “fare nuk ka nevojë më për shkollim (respektivisht për diploma)”. Google sot përkthen, google sot të drejton pa pjesëmarrjen e njeriut. Sa fjalë e madhe është ajo e Voznesenskit: “Koha e ardhme (robotët) do të mund të bëjë çmos, përpos se nuk do të mund të shkruajë poezi dhe nuk do të mund të besojë“.
Edhe një herë po e them se kjo mënyrë e të shprehurit duhet të jetë dhe është një sprovë për çdo besimtar; ai nuk guxon të heshtë: nëse së paku nuk keni mundësi të flisni, do t’ju kërkoja ta lutni Zotin të na shpëtojë dhe ta shpëtojmë veten nga mendësi të tilla që edhe ne veprimet e tyre na ballafaqojnë/përplasin me atë se kush jemi, si jemi, pse jemi kështu siç jemi?! Të jesh hafiz do të thotë të jesh simfonia jashtëplanetare e një “big-bangu” ku humb pesha dhe fluturon shpirti.