Policia antiterroriste turke arrestoi 17 persona të lidhur me biznesmenin turko-iranian, Reza Zarrab, në mes të një procesi të zjarrtë në Nju Jork që ka çorientuar Ankaranë. Zarrab zbulohet se ka edhe pasaportë të Maqedonisë, të përfituar gjatë viteve të fundit. Por siç meson INA, ai ate e ka përfituar përmes lidhjeve me ish-zyrtarë të qeverisjes së kaluar.
Dyshohet se Zarrab ka dhënë qindra mijëra euro për këtë pasaportë, dhe se është i ndërlidhur me një investim të premtuar në Maqedoni, që nuk kishte ndodhur.
INA ka siguruar dokumentin ku dëshmohet se Zarrab ka pasaportë të Maqedonisë.
Ai më pas u përfshi në skandalin e korrupsionit dhe pastrimit të parave, me ministra të qeverisjes së kaluar të Erdogan, gjatë kohës së kryeministër. Lidhur me këtë skandal në Turqi kanë pasuar arrestime.
“Shtatëmbëdhjetë të dyshuarit u arrestuan me kërkese të prokurorisë së Stambollit që ka hapur javën e kaluar një hetim kundër Zarrab dhe rrethit të tij”, theksoi agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency.
Zarrab është dëshmitari kryesor në një proces në Nju Jork mbi shmangien e sanksioneve ekonomike amerikane kundër Iranit.
Zarrab bashkë me dy iranianë të tjerë, Kamelia Jamshidy, 29-vjeç dhe Hossein Najafzadeh, 65-vjeç, akuzohen se për rreth 5 vite, nëpërmjet një rrjeti kompanish kanë kryer transaksione në qindra milionë për interes të qeverisë dhe subjekteve të tjera iraniane, të cilat kanë qenë pjesë e “listës e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zarrab u akuzua dhe u arrestua në vitin 2013 si një ndër personat kyç në skandalin e korrupsionit që përfshinte ish-ministra të kabinetit Erdogan.
“Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë një fjalimi në Kongresin e gjashtë të partisë së tij AK theksoi se disa po përpiqen që të prodhojnë materiale të shantazhit, por ne nuk do të përkulemi para këtij shantazhi”, njoftoi Anadolu Agency (AA).
“Marr disa lajme dhe sinjale se disa biznesmenë dëshirojnë t’i rrëmbejnë pasuritë e tyre jashtë shtetit. Bëj thirrje nga këtu, së pari i bëj thirrje kabinetit tonë, nuk duhet të lejoni daljen e asnjërit prej tyre. Sepse këta persona janë tradhtarë të vendit”, theksoi Erdogan. (INA)