Sedat RAMADANI
Kriza e madhe politike që po ndodhë në një vend të vogël si Maqedonia na ka bërë të gjithëve qenie politike dhe si të tillë nuk mund të mos i ndjekësh ndodhitë në rafshin politik. Jemi bërë gjithë veshë duke pritur mos vallë do të ndëgjojmë ndonjë fjalë të mençur në këtë kohë të budallallëkut dhe kaosit politik që po na rrethon, por kot. Të merr malli të ulesh me miqë e me shokë për ndonjë kafe apo ndjekje të një ndeshje futbolli e mos të jetë temë bisedeje edhe politika jonë. Por, të jemë i sinqertë, kemi një avancim do thoja se kohën e fundit bile për politikë të jashtme nuk po bisedojmë. Duke qenë se te neve zgjedhjet po ndodhin më shpesh se serialet turke, nga këtu ja edhe një mundësi për plotësim të kohës së lirë që e kemi në disponim (sepse s’kemi punë) për të lëvdëruar apo sharë njërën apo partinë tjetër.
I gjithë ky kaos ndoshta filloi me publikimin e bombave, vendosjen e tendave para Qeverie e para Kuvendi, protestat që pasuan e kështu me radhë. Kjo bëri që pak a shumë të prishet rehatia e pashallëkut BDI-VMRO e më pas me kërkim të faktorit ndërkombëtarë edhe të ulen në Përzhino liderët e katër partive më të mëdha politike të vendit. Kjo ishte një xixë shpresë për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe në veçanti për shqiptarët.
Ajo që besohet të jetë një hapë para në gjithë këtë proçes është vetëm caktimi i datës për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa përzgjedhja e prokurores speciale të cilës ia kanë ngarkuar pak më pak se një milion punë, nuk besoj të ketë ndonjë avancim drastik për faktin se punët për të cilat duheshte të mereshin vesh katër lider politik i kanë përcjellë në një grup pune 15 anëtarëshe që çdonjëri prej tyre duhet të angazhojë nga së paku edhe 7 bashkëpunëtor të tjerë. Edhe pse të propozuar apo infiltruar prap nga partitë politike, nuk dyshojmë në “profesionalizmin” e tyre. Dhe ne, si milet që do na quante Aliu, nuk do e kuptonim se janë njerëz të partive, po qe se ata mes vete nuk do të akuzonin njëra-tjetrën për përzierje në “prokurorinë speciale”. Dhe, meqenëse u vendos që këtë krizë politike ta zgjedhin ata që e krijuan, partitë më të mëdha të vendit, të presim e mos të paragjykojmë.
Por, shqiptarët e Maqedonisë (ata jasht pushtetit) të zhgënjyer shumë herë nga këso lloj bisedimesh dhe marrëveshjesh, si duket nuk duan kësaj rradhe t’ia lan rastit por duan që punët t’i marrin vet në duar. Nisur nga parimi se gjendja e një shoqërie nuk ndryshon nëse nuk ndryshon vet, në një kohëzgjatje të shkurtër filloi riorganizimi i partive opozitare që ishin në prag të shuarjes së tyre si dhe parti të tjera të dala si frakcione ose nga themelime të reja. Si do që të jenë, të gjitha u mirëpritën nga ekspertët politik shqiptar si dhe nga opinioni i gjerë, përpos nga partia në pushtet (BDI).
Dhe ndonjë i mençur duke e njohur realitetin politik në vend dhe duke e njohur forcën të cilën e ka krijuar BDI gjatë 12 viteve në pushtet, tha: shqiptarëve në Maqedoni ju duhet një opozitë e bashkuar për ta përmbytur këtë qeverisje të dhunshme, koruptive, mafioze dhe çfar jo tjetër. Dhe gjithë shkoi mirë, u pranua nga të gjithë kjo ide, madje edhe liderët e partive opozitare si Besa, LR-PDSH, RDK, PPD filluan ta promovojnë këtë ide të shkëlqyer dhe të ftojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim nga pres konferencat e tyre. Por ama, dikush i morri mësysh (nga fjalori: ra mësysh nuk i shkon mbarë diçka, sepse dikush e pa me sy të keq). Në vend që deri tani të ishin ulur në një tavolinë dhe të bisedonin për një platformë të përbashkët për dalje nga kjo situatë e zymtë, ata kanë filluar një luftë tinëzare duke u grindur mes vete të fshehur pas parullës “jemi të hapur me të gjithë për bashkëpunim”.
Dorën në zemër, RDK, Besa dhe PPD kanë qenë më të matura në prononcimet e tyre në këtë drejtim, ndërsa LR-PDSH edhe pse më e zëshme në thirrjen për këtë bashkëpunim nuk duket se i ka kontribuar shumë kësaj ideje. Vëllazërimi dhe bashkëpunimi mund të ndodhë atëherë kur njëra për tjetrën do flasin vetëm superlativa dhe kur do të ndërpriten akuzat për njëra-tjetrën. Nuk mund të ftosh dikë në bashkëpunim dhe njëkohësisht të dyshosh për financimin e asaj partie, për ideologjinë e asaj partie, për udhëheqësit e asaj partie. Edhe pa u formuar as si subjekt madje (duke qenë se deri dje ishte vetëm iniciativë) të ftosh anëtarësin e partisë që pretendon të bashkëpunosh, të vijë në partin tënde. Nuk mund të kushtëzosh pjesëmarrje në bisedime nga ku priten nisma të mbara. Nuk mund të jesh një bashkëpunëtor i mirë dhe i sinqert nëse njëherë e ftonë anëtarësin e PDSH që t’ju bashkangjitet ndërsa herën tjetër i quan ata “zagarë”. Të gjithë ngelëm të habitur edhe nga mospërkrahja e protestës mbarëshqiptare më 13 qershor. (Të gjitha këto janë prononcime publike).
Sjellja e liderit të LR-PDSH (tani më subjekt, edhe pse nuk mund njëkohësisht të jesh edhe parti në vete edhe lëzivje për reforma në PDSH), të jep përshtypjen se në rrugëtimin drejt idealit të tyre pengesë më e madhe qenka Besa e jo BDI. Unë kam filluar të dyshoj se ndonjëri nga opozita dëshiron edhe të mos ndodh ky bashkëpunim. Edhe pse kjo do të bëhet e qartë, nëse do ta mbajnë fjalën përfaqësuesit e Ligës së Diasporës shqiptare për Maqedoninë (LDSHM) kur në një prononcim të tyre thanë: “Një gjë është e sigurtë se nëse përfundimisht nuk do të ndodh bashkëpunimi ne i kemi korrespodencat edhe me z. Diogardi edhe me veprimtarë tjerë, dhe këto korrespodenca në kohë të duhur në momentin e duhur do ti nxjerrim se fundi i fundit, nëse dikush nuk don bashkëpunim nga kjo opozitë shqiptare duhet t’ia tregojmë popullit”. Uroj që unë të gabohem në opinionin tim.
Prandaj, nëse do të ndodhte një bashkëpunim parazgjedhor opozitar, ajo do të duheshte të jetë parimore dhe pa hile, ndryshe kjo ide nuk do të ketë jetësim dhe jetëgjatësi. Dhe nëse do jetë kështu atëherë më mirë fare mos të bashkohen sesa të bashkohen për t’u ndarë. Kështu bile zhgënjimi do jetë më i vogël për shqiptarët.