Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, ku u dakorduan për organizimin e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive në një kohë të përshtatshme, duke e pasur parasysh edhe situatën epidemiologjike në vendet respektive, me ç’rast do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh përfshirë edhe marrëveshjen për studim të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Samitin e Prespës që planifikohet të mbahet në korrik të këtij viti.
Në takim gjithashtu u diskutua për situatën me pandeminë Covid-19 në të dy vendet, masat e ndërmarra nga qeveritë për ndaljen dhe uljen e trendit të infektimeve, për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe përpjekjet e pareshtura për sigurimin e dozave të reja të vaksinave kundër Covid-19.
Ndër të tjera, ambasadorja Jusufi e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe fitoren e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit, përcolli urimet e qeverisë së saj për të dhe popullin e Kosovës për procesin zgjedhor demokratik dhe institucionet e reja të dala nga ky proces./21Media