Hamdi Nuhiju
Për shembull është fjala më e keqpërdorur në botë! Kur nis ta përdorësh në fjalorin e përditshëm fillon të fshehësh botën tënde djallëzore. Bashkëbiseduesit i tregon në vepër se ti je djall! Me dy këmbë. Jo, me një këmbë. Me rëndësi nuk je i biri i djallit! Njerëzit marrin si shembull tokën, hënën, yjet, rrugën e qumshtit, fëmijët, grevën!
– A e di se çka është greva?
– Jo nuk e di, tha me bindje dhe vazhdoi: Kam dëgjuar se përdoret shpesh! Kështu u përgjigj një djalë shtatëmbëdhjetë vjeçar.
Kur një politikan flet për shkallën e papunësisë në vendin e tij, shtetin e tij ballkanik e krahason me nivelin e papunësisë në një shtet baltik! Sidomos shembuj të tillë krahasimor gjen tek sistemi i krimit të organizuar.
Gazetari e pyeti politikanin pse po ikin të rinjtë nga vendi jot?
Ai u përgjigj: Të rinjtë po ikin kudo, është proces i globalizimit! Dhe u mbyll ky shteg. Nuk ka më hapësirë për ta vënë në bankën e të akuzuarve për paaftësinë e tij prej shtetari për ta ndalur procesin e shpërnguljes së popullsisë.
Dorëshlirë, dorështrënguar, koprrac, mendjemadh, modest, i mençur, i urtë, frikacak, trim, gjen lloj-lloj rastesh tek personalitetet historike, letrare, shkencore! Dhe ti në bazë të nevojave dhe kërkesave momentale, përdorë-keqpërdorë shembujt. Nëse shembujt i përmend pa përdorur termin për shembull, niveli i jot i djallëzisë është nën nivelin e djallëzisë së një politikani dhe kleriku fetar.
Argumenti nuk ka nevojë për fjalën shembull! Ai qëndron vet në këmbë përballë të gjitha stuhive që fryjnë në të katër anët. Argumenti mund të jetë numër, shkronjë, vepër, dije, urtësi! Ndonjëherë është edhe çekan që thyen paragjykimet. Në këtë mënyrë gjykimet i ndanë nga e panjohura.
Arsyetimi se argumentit i duhet fjala për shembull është mungesë e argumentit. Realisht është përbaltje e çiltërsisë së mendjes.