Nafie Selmani
Nuk mbahet mend ndonjë periudhë tjetër politike në të cilën një subjekt politik që është pjesë e pushtetit, siç është VLEN-i të ketë qenë kaq i përqendruar në sulmin ndaj opozitës, siç po ndodh sot.
Pas një fushate të koordinuar kundër Arben Taravarit, tash ata janë vënë në sulm të koordinuar kundër opozitës në tërësi, për kandidatët për kryetarë komunash me tendencë të qartë për të shkaktuar përçarje dhe konfuzion.
Ndërkohë vetë ende nuk kanë guxuar ende të shpalosin kandidatët për zgjedhjet lokale, sepse me gjasë janë të zënë me zgjidhjen e përplasjes së brendshme që tanimë nuk mund ta fshehin. Grindjet, mosmarrëveshjet dhe mungesa e një kohezioni real mes tyre janë ashiqare, e megjithkëtë ata preferojnë të flasin më shumë për Taravarin dhe opozitën, për gjithcka tjetër, vetëm jo për përgjegjësitë e veta.
Kujtojmë VLEN-in se ju jeni ata që dolët para qytetarëve me premtimin për NDRYSHIM, për t’i dhënë fund praktikave të vjetra, për të sjellë një politikë ndryshe, më të pastër, më të drejtë. Por sot, jo vetëm që nuk ka ndryshim, por për fat të keq, në disa raste po i bëni gjërat edhe më keq.
Ndaj, përmblidhuni! Ne e dimë çfarë ka qenë opozita dhe çfarë ka bërë në të kaluarën, ajo është gjykuar, kritikuar dhe ndëshkuar. Por ju, që erdhët me premtimin e Ndryshimit, ende presim Ndryshimin që premtuat dhe koha po ju ik!
Sot, ata 107 mijë qytetarë që ju besuam dhe votuam, kemi të drejtë të kërkojmë LLOGARI, dhe do të KËRKOJMË!